Ruçi: Gërdeci, skandal shtetëror
TIRANË- Kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi beson se akuzat për përfshirje të familjes kryeministrore në aferat korruptive të tregtisë së pakontrolluar të armëve, pasojë e së cilës ishte dhe tragjedia e Gërdecit, kanë baza vërtetësie. I ftuar në "Studio 24", Ruçi ka bërë një analizë të situatës politike, marrëdhënieve mes forcave opozitare, si dhe shanseve që ka PS për të fituar zgjedhjet në vitin 2009. Duke folur për ngjarjen e Gërdecit, kreu i Asamblesë Socialiste ka theksuar se përgjegjësia për të nuk mund të mbetet vetëm tek një ministër, apo dhe tek disa ushtarakë, pasi, sipas tij, zhvillimet e pas tragjedisë faktuan një skandal të madh shtetëror, ku ishin përfshirë dhe zyrtarë apo njerëz të afërt të kryeministrit Berisha. "Gërdeci i kalon kufijtë e një ministri, si edhe të aparatçijve ushtarakë në Ministrinë e Mbrojtjes. Përgjegjë- sia është edhe tek organe të tjera. Kush ia dha licencën, dhe me cilin suport politik, Delijorgjit katër muaj para se të privatizohej aktiviteti i armëve? Ende sot nuk dihet emri i gjyqtarit. Çfarë bën KLD? Pse nuk e investigon? Cili është ai gjyqtar që do ta merrte këtë nismë pa një suport politik. Kanë dalë zëra që ky subjekt juridik, siç është Delijorgji, ka pasur mbështetjen e një studioje juridike, ku përflitet e bija e Kryeministrit. Pra, diku përflitet i biri i Kryeministrit, diku e bija e Kryeministrit",- u shpreh Ruçi. Ndërkohë, duke komentuar zhvillimet politike brenda kampit opozitar, Ruçi është shprehur se, pikënisja e konfliktit me LSI-në ka qenë pikërisht deklarata e tij se kreu i PS-së, Edi Rama do të jetë kryeministri i ardhshëm, në rast se e majta do të fitojë zgjedhjet e vitit 2009. "Ky sistem krijon një mundësi që elektoratit shqiptar t'i paraqitesh me një program, me një ekip dhe me një lidership, që do të thotë se ky është Kryeministri. Unë e kam deklaruar se kush do të jetë kryeministri i PS-së dhe ai ka një emër dhe quhet Edi Rama, dhe kjo është në Statutin e PS-së. Hapat e nxituara të LSI-së, kanë filluar qysh në atë moment që unë shpalla në një studio se Rama do të jetë kryeministër i ardhshëm", - u shpreh Ruçi. Pavarësisht debateve, ai ka lënë të hapur mundësinë e realizimit të një koalicioni opozitar edhe para zgjedhjeve të 2009-ës me pjesëmarrjen e të gjitha forcave opozitare, përfshi edhe LSI-në. F.Braushi