Shpërblimi i ushtarëve në Bosnjë, Bode kundër Oketës
TIRANË- Dërgimi i një trupe të specializuar ushtarakësh me mision demontimi municionesh në Bosnje-Hercegovinë ka vënë në konflikt ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa, me atë të Financave, Ritvan Bode. Shkak është bërë pikërisht shpërblimi me të cilin këta ushtarakë do të trajtohen gjatë kryerjes së këtij misioni në Bosnje. Kontradiktat midis dy ministrave janë pasqyruar në relacionin shoqërues të projektvendimit të Këshillit të Ministrave për trajtimin financiar ekstra të kësaj trupe të specializuar. Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar miratimin e projektit për të shpërblyer secilin prej ushtarakëve që janë pjesë e këtij misioni, me 70 euro, për çdo ditë të qëndrimit të tyre në Bosnje-Hercegovinë. "Shpërblimi për ushtarakët shqiptarë, të dërguar në Bosnje- Hercegovinë, në kuadër të operacionit "ALTHEA" të Bashkimit Evropian, do të jetë 70 euro për çdo ditë qëndrimi në këtë mision", shprehet Ministria e Mbrojtjes në projektvendimin e paraqitur. Ndërkohë që grupi i asgjësimit të municioneve dhe eksplozivëve përbëhet nga 12 ushtarakë dhe efektet financiare të trajtimit të tyre llogariten në afro 190 milionë lekë të vjetra dhe parashikohen të mbulohen nga buxheti i vetë ministrisë. Por Ministria e Financave në mendimin shoqërues të projekt- vendimit shprehet se efektet financiare të mbulimit të këtij misioni janë të konsiderueshme, pavarësisht se ato nuk kërkohet të dalin nga buxheti i qeverisë. Sipas dokumentit të firmosur nga Bode, bëhet e ditur se shpërblimi ditor prej 70 euro për ushtarakët shqiptarë të dërguar në Bosnje, është shumë i lartë - kjo e krahasuar me trajtimin financiar të marrë nga ushtarakët shqiptarë në misione të tjera jashtë vendit, i cili është llogaritur vetëm 15 euro. Për këtë arsye, Ministria e Financave ka kërkuar që projekti të dërgohet edhe një herë për rishqyrtim. Por Ministria e Mbrojtjes pavarësisht vërejtjeve të bëra në relacionin e saj, ka mbrojtur variantin e parë, duke theksuar se trajtimi me 70 euro plus rrogës së këtyre ushtarakëve ka lindur si domosdoshmëri për shkak të rrezikshmërisë që ka ky mision. Sipas kësaj ministrie, detyra e këtij grupi, pikërisht asgjësimi i municioneve është krejt i ndryshëm dhe i një shkalle rrezikshmërie shumë më të lartë sesa ai i kompanisë prej 70 ushtarësh që trajtohej me një shpërblim ditor me 15 euro, të cilët kishin për detyrë kryesore patrullimin dhe sigurimin e jetës së personelit EUFOR-it në Bosnje-Hercegovinë. Ndërsa ushtarakët shqiptarë të dërguar me misione paqeruajtëse në Irak dhe Afganistan, përfitojnë shpërblim ditor përkatësisht 85 dhe 60 dollarë në ditë.