Rusi, "dasvidanja" Vladimir Putin. Tani, Kryeministër
Rusia ka një President të ri. Dimitri Medvedev, i zgjedhur majin e shkuar si pasues i Vladimir Putinit, që vetë e kishte përzgjedhur si mbrojtës të tij, ka bërë betimin në Kremlin, duke siguruar se detyra e tij më e rëndësishme do të ishte ajo e promovimit të të drejtave civile dhe ekonomike. Medvedev ka dashur të falënderojë Putinin, për mbështetjen e tij të vazhdueshme, që, siç e ka thënë vetë ai, nuk do të mungojë as në vazhdim. Vladimir Putin del nga porta e Kremlinit dhe hyn nga dritarja e "Shtëpisë së Bardhë", pallati i qeverisë ruse, duke ia lënë vendin Dimitri Medvedevit, që bëhet kështu Presidenti i tretë i Rusisë, së dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Vetë Putin, ish-oficer i KGB-së, i zgjedhur nga Boris Jelcin si Kryeministër në 1999-ën, do të mbetet car, duke u kthyer Kryeministër sërish i fortë dhe i vendosur për të qëndruar në komandën e vendit edhe për shumë kohë. Putin ishte i qartë këtë shkurt, kur mbështeti një këmbim thelbësor të raporteve mes Kryeministrit dhe Presidentit të Rusisë: "Detyra e shefit të qeverisë, tha ai, është niveli më i lartë i pushtetit ekzekutiv në vend, atje ku Presidenti duhet të kënaqet vetëm me rolin simbolik të garantit të Kushtetutës". E kështu, ndërsa ishte ende President, Putin zgjodhi të riun Dimitri Medvedev, një prej zëvendëskryeministrave dhe shefin e të fuqishmit "Gazprom", duke ia bërë të qartë se kush do të komandojë. Pasuesi 42-vjeçar duhet të mjaftohet me emërimin e tij Kryeministër dhe të përshëndesë nga tribuna paradën e dytë ushtarake që do të zhvillohet sot në sheshin e kuq. Në fund të fundit, Medvedev është përgatitur të qëndrojë në hije: fitoi zgjedhjet e dy marsit të shkuar, me premtimin se do të ndjekë pikë për pikë planin e Putinit dhe kur mbajti fjalimin e tij të fitimtarit, pas një fushate elektorale shumë të lehtë, "cari" ishte përkrah tij. Për sa i takon Kryeministrit të ardhshëm, Putin do të jetë edhe shefi i Rusisë së Bashkuar në Dumë, me një opozitë të reduktuar në shifrat minimale në njërën anë nga vota e zgjedhësve dhe në anën tjetër nga një lloj represioni i maskuar, që ka bërë që vëzhguesit e huaj të shqetësohen për demokracinë në Rusi. Në vigjilje të transferimit të fuqive, policia ka arrestuar, ndërkohë, disa manifestues që tentuan të mblidheshin në Moskë. Gjithsej, sipas burimeve të opozitës, janë arrestuar rreth 50 persona. Por, gjithsesi, protestat në Rusi nuk kanë qenë asnjëherë në një nivel të tillë, sa të tronditnin me të vërtetë Putinin, i cili ka mbajtur kundrejt tyre qëndrimin klasik të një agjenti sekret apo ushtaraku. Në tetë vjet, ai ka bërë të mundur rikthimin e besimit në Rusi, duke e ngritur atë sërish në piedestalin e fuqive të mëdha. Nuk e ka fshehur asnjëherë nostalgjinë për kohën e Perandorisë Sovjetike, rënia e të cilës prej tij ishte përcaktuar kohë më parë një "katastrofë gjeopolitike". Në të vërtetë, Putin ka reformuar sistemin fiskal dhe financiar, ka "hequr qafe" ata që janë quajtur "oligarkë" dhe që kishin krijuar pasuri të mëdha me Jelcinin. Njëri prej tyre, Mikhail Khodorkovski, është në burg në Siberi, i dënuar për mashtrim; të tjerë u kanë shpëtuar prangave. Mes tyre është edhe Boris Berezovski, mik i Aleksander Litvinenkos, ish-spiunit rus të helmuar në Britani. Litvinenko në anën tjetër ishte një ndër burimet e Ana Politkovskajas, gazetares së ashpër ndaj Putinit dhe luftës në Çeçeni. Edhe ajo, si dhjetëra gazetarë të tjerë rusë, u vra në 2006-ën në Moskë. Por, duke marrë zemër nga rezultatet ushtarake në rajonin kaukazian dhe ekonomisë së brendshme, Putin ka mundur të përplasë grushtet mbi tavolinë në fushën e diplomacisë ndërkombëtare. Ka filluar një lojë force me NATO-n në lidhje me mburojën antiraketë amerikane në Evropë, ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, ka konsoliduar marrëdhëniet me Iranin. E ndërkohë, nuk heq dorë as nga ushtrimi i kontrollit në vendet fqinje, ish-pjesëtare të Bashkimit Sovjetik. I fundit vend i prekur është Gjeorgjia, me të cilën për çdo ditë shkëmbehen deklarata lufte.
Medvedev
Brez i ri në Kremlin
Presidenti i ri i Rusisë, Dmitri Medvedev, ndryshon nga paraardhësi i tij: është më modern, më i pëlqyeshëm, por, sidoqoftë mbetet një prodhim i pastër i sistemit Putin. Në moshën 42-vjeçare ai e sheh veten të katapultuar në krye të vendit më të madh të botës, thjesht për shkak se kjo ishte dëshira e mentorit të tij, Vladimir Putin, 13 vjet më i madh se ai vetë dhe që do të bëhet Kryeministri i tij, sipas një skenari të paparë herë tjetër në Rusi. Ish-jurist, me një të folur monotone, ky burrë i imët kërkon të afirmohet, pasi të ketë kopjuar intonacionet e Putinit. Ndonëse sot ai e vuri theksin te "liritë qytetare dhe ekonomike", duke ecur drejt "shkrirjes" që pritej nga disa, pikëpamja e tij mbi demokracinë ose politikën e jashtme mbetet një enigmë e madhe.
Putin
Nga KGB-ja në Kremlin
Spiun, e më pas funksionar jo shumë i rënë në sy përpara se të promovohej si President, Vladimir Putin vendosi rregull në Rusi me çmimin e një lufte në Çeçeni dhe të shmangieve autoritare, ndërsa tashmë po bëhet Kryeministër i pajisur me kompetenca të fuqishme, sipas një skenari të shkruar me dorën e tij. Meqenëse Kushtetuta nuk i lejonte kandidimin për një mandat të tretë radhazi, ai zgjodhi si pasardhës zëvendëskryeministrin e tij të parë të ri në moshë, Dimitri Medvedev, i cili u zgjodh më 2 mars si President i Rusisë pa ndonjë konkurrencë reale.
Më pas, ai pranoi të bëhej Kryeministër i Presidentit të ri dhe duke siguruar një levë të fuqishme të pushtetit mori kontrollin e Partisë Rusia e Bashkuar, që kontrollon Parlamentin
Kur Putin erdhi në pushtet, në ‘99-ën, Rusia ishte sinonim i një krize të rëndë ekonomike, i një mafieje të gjithëpranishme dhe i një Boris Jelcini të plakur
Nën Putinin, Rusia është shndërruar në vendin e petro-dollarëve, ambicieve të rigjetura dhe ka marrë pozitat e një fuqie të madhe, që nuk heziton të konfrontohet me Perëndimin