E Diel, 1 Nëntor 2026

“Birra Korça”, “dollia” shqiptare në Fiera del Levante

 

“Tempulli” i biznesit italian për katër ditë u zhvendos në Pallatin e Kongreseve. Datat 14-17 tetor kanë qenë ditët kur me dhjetëra biznese të shtetit fqinj ofruan për të interesuarit ekspozimin në kryeqytet të një game të gjerë produktesh.
Këto të fundit i përkisnin fushave të ndryshme industriale, elektrike. E kështu, për disa ditë metropoli jetoi atmosferën “italiane” të biznesit të fuqishëm prezent në Shqipëri ose me ambicie për të investuar këtu. Pjesë e kësaj eksperience u bë edhe “Birra Korça”, e vetmja kompani shqiptare e pranishme në këtë aktivitet, e përzgjedhur si “e ftuara” shqiptare për këtë forum ekonomik italian. Nuk është hera e parë që kjo kompani mbledh në sallonin e saj të interesuar, që e preferojnë por këtë herë “targeti” ishte i ndryshëm, ishin të gjithë biznesmenë dhe investitorë të huaj. Dhe “testi” u kalua me sukses. Ata që patën mundësinë ta provonin nuk hezituan aspak për të shprehur edhe njëherë vlerësimet për cilësinë e shkëlqyer të kësaj birre. “Aromë e këndshme dhe shije e dashur”, “Ju lumtë!” , “Faleminderit për kënaqësinë”, “Produkt simpatik”, “Kon-kurrues në llojin e birrave pils”, ishin reagimet e atyre që sapo provonin birrën. Në fakt, ajo që ndezi më shumë kuriozitetin tek investitorët ishte fakti që “Birra Korça” ka fituar ISO, pra që cilësia e saj dhe veçoritë organoleptike janë të standardeve ndërkombëtare, duke ruajtur vazhdimësinë e aromës dhe shijes karakteristike të birrës pils. Vlerësime janë dhënë nga degustatori i birrave Roberto Cofano, ndërkohë që Maurizio Miazga, i cili në televizionin Magnum TV ka rubrikën e tij “Birra del Mondo” tregoi interes të veçantë për “Birra Korça”, duke e vlerësuar si një produkt special, të cilin njerëzit duhet ta njohin më gjerë. Ambicia për të mos qenë pjesë vetëm e tregut shqiptar duket se këtë herë ka gjetur përkrahjen e duhur, sepse nuk kanë qenë të pakta ofertat për ta bërë këtë birrë pjesë të tregut italian. Në fakt, ende nuk mund të flitet për diçka konkrete sepse ofertat mbeten që të diskutohen, por pozitive në këtë aspekt është që birra shqiptare u vlerësua në maksimum edhe nga të huaj. Panairi “Fiera del Levante” duke u cilësuar si një nga aktivitetet më të rëndësishme të bizneseve italiane në Shqipëri bëri të mundur edhe promovimin e “Birra Korça” në një farë mënyre  “jashtë” Shqipërisë. Fakti që shija e saj u mirëprit dhe u komplimentua i jep akoma dhe më shumë atribute kompanisë për të gjetur klientelën e saj edhe jashtë Shqipërisë, drejt eksportit. n.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›