Kriza, s’u prekën sigurimet dhe pensionet private
Fabiola Çela
Kriza globale nuk ka mundur të prekë të gjithë tregun financiar në vend. Gjatë gjysmës së parë të vitit u ngadalësua rritja e sektorit bankar. Por e kundërta ka ndodhur me pjesën tjetër të tregut financiar. Tregu i fondeve private të pensionit, i shoqërive të kursim-kreditit si dhe i shoqërive të sigurimit, ka pësuar rritje gjatë 6-mujorit të parë të vitit.
Sigurimet
Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se për shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, totali i mjeteve për tremujorin e parë të vitit 2009 arriti në 16.5 miliardë lekë, me një rritje 6 për qind krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2008, ose me një rritje prej 13.4 për qind referuar të njëjtës periudhë të një viti më parë. Në këto nivele, mjetet e shoqërive të sigurimit përbëjnë rreth 1.5 për qind të PBB-së së vendit dhe rreth 1.9 për qind të totalit të mjeteve të sistemit financiar. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2009, veprimtaria operacionale e shoqërive të sigurimit shënoi rritje të kontratave, të pagesave të dëmeve, të kapitalizimit dhe të normave të fitimit. Në këtë periudhë kontratat e sigurimit u rritën me 29 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e numrit të kontratave u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave.
Pensionet private
Në tregun e pensioneve private operojnë tri shoqëri. Tregu i pensioneve private ka njohur zhvillime pozitive në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, i treguar prej rritjes së nivelit të kontributeve, të cilat arritën në 0.06 miliardë lekë. Megjithatë, sipas bankës ky treg vazhdon të zërë një pjesë thuajse të papërfillshme në sistemin financiar dhe njëkohësisht edhe në PBB-në e vendit.
Kursim-krediti
Shoqëritë e kursim-kreditit regjistruan rritje të lehtë të mjeteve të tyre prej rreth 2 për qind në tremujorin e parë të vitit 2009, krahasuar me fundin e vitit 2008. Totali i aktiveve të shoqërive të kursim-kreditit arriti në 4.4 miliardë lekë, duke zënë afërsisht 12.4 për qind të mjeteve të institucioneve financiare jobanka (përfshirë këtu dhe shoqëritë e sigurimit dhe fondet e pensionit). Pesha e tyre ndaj PBB-së vlerësohet në rreth 0.4 për qind. Aktiviteti kreditues përfaqëson drejtimin kryesor të veprimtarisë, duke zënë 81 për qind të totalit të aktiveve.
Tregu financiar
1.5 për qind të PBB-së e përbëjnë mjetet e shoqërive të sigurimit
1.9 për qind të totalit të mjeteve të sistemit financiare e përbëjnë shoqëritë e sigurimit.
0.5 miliardë lekë fitimi për kompanitë e sigurimit
29 për qind u rritën kontratat për kompanitë e sigurimit
4 miliardë lekë primet e shkruara bruto
0.06 miliardë lekë kontributet e tregut privat të pensioneve
4.4 miliardë lekë totali i aktiveve të shoqërive të kursim-kreditit