Topi: Heqja e vizave, BE-ja jo vendim të diferencuar
Presidenti i vendit, Bamir Topi, shprehet se Shqipëria shpreson që brenda vitit 2010 të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave me vendet e BE-së. Kreu i shtetit në një intervistë dhënë për gazetën sllovene “Dvenik” shprehet se, “ne shpresojmë që do të ketë një qëndrim të unifikuar të Bashkimit Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit, sepse deri tani ka pasur një trajtim disi të diferencuar. Shpresojmë që Bashkimi Evropian do ta marrë në konsideratë që janë vende që kanë shumë ngjashmëri në trajtimin e problemeve”. Për Kosovën, Presidenti thekson se nuk ka bashkim me Shqipërinë dhe kjo në mënyrë figurative ndodh kur dy vendet të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian.
Në Kosovë ende nuk është shuar ideja për bashkim me Shqipërinë, për të cilën gjë Beogradi është mjaft i ndjeshëm. Çfarë mesazhi u dërgoni atyre që e përmbajnë atë ide në Kosovë, dhe a keni ndjenjë se ato ide shpien në destabilizim të tërë rajonit?
Sikurse ndodh në spektrin politik, edhe shoqëria është shumë komplekse. Mund të ketë mendime nga më të ndryshmet. Ka dëshira, ka aspirata. E rëndësishme është që të gjykoni politikën e institucioneve shtetërore. Politika e institucioneve të Shqipërisë dhe politika e institucioneve të Kosovës respekton në mënyrë reciproke sovranitetin e vendeve respektive. Ne vërtet jemi shumë të ndjeshëm, sepse pjesa dërrmuese e popullsisë janë shqiptarë në Kosovë. Kjo vetëm do të ndihmojë në forcimin e raporteve të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe këto dy vende do të bashkohen në Bruksel. Aty do të bashkohen të gjitha vendet e Ballkanit. Dhe është një referencë shumë e qartë. Çdo gjë tjetër është hap prapa. Është kthim në konflikte, në tensione ndëretnike.
Në fillim të prillit të këtij viti ka filluar MSA-ja me BE-në, Shqipëria më 28 prill zyrtarisht ka dërguar lutjen për anëtarësim në integrim. Po ashtu në këto ditë KE-ja përsëri nuk ka marrë parasysh lutjen e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Vendimi sipas të gjitha gjasave është shtyrë për një muaj. Si e komentoni këtë vendim të Komisionit Evropian. Kur prisni se do të fillojnë dhe të përfundojnë negociatat me BE-në dhe të hyjë në integrime?
Unë besoj që nuk ka çështje politike. Nuk ka çështje mosbesimi, ka vetëm çështje teknikaliteti që kanë të bëjnë edhe me situatat e formatimit të strukturave që dalin nga zgjedhjet parlamentare të disa vendeve të Evropës, sikurse është rikonfigurimi i parlamentit gjerman. Ne praktikisht jemi në një rrugë të mbarë dhe kemi detyra për të realizuar.
Cilat janë vërejtjet e BE-së për Shqipërinë sa i përket përafrimit me rendin ekonomik dhe juridik të BE-së?
Besoj që raportet kanë edhe lëvdata, por kanë edhe kritika, ndryshe do të ishim vend i BE-së. E rëndësishme është që të dominojë sensi i lëvdatës për hapat e bërë. Natyrisht që ka kërkesa për rritje të kohezionit politik, një rritje të intensitetit të dialogut, për vazhdimin e reformave në fusha të ndryshme: politike, ekonomike, juridike. Dhe një nga kërkesat është që të bëhet një luftë pa kompromis kundër korrupsionit, i cili ende është i pranishëm. Ka përparim të ndjeshëm, por ende ka për të bërë. Kërkohet një reformim i sistemit gjyqësor, vazhdim i reformimit dhe besoj që kjo krijon kushtet për nota më pozitive.
Komisioni Evropian zyrtarisht prezantoi raportin për përparim të Shqipërisë. Në cilat fusha ka përparuar më së shumti Shqipëria? Cilat janë fushat që e presin më së shumti punë për Shqipërinë dhe si do të përballet ajo me këtë sfidë?
Ne që jetojmë në Shqipëri e dimë ku i kemi pikat e dobëta, pikat më pak të forta. Shqipëria ka punuar mirë në kontrollin e kufijve. Ka punuar mirë kundër krimit të organizuar, rolit të policisë. Ka punuar mirë për sa u përket skemave ekonomike. Edhe efekti i krizës globale në Shqipëri pothuajse është i pandjeshëm në krijimin e hapësirave të biznesit. Ka punuar për forcimin e transparencës për strukturat e shtetit ligjor, por ende kemi, sikurse e thashë, hapësira për të përmirësuar punën.
Kur pritni që do të vlejë edhe për Shqipërinë liberalizimi i vizave? A është e mundur që të ndodhë deri në fund të vitit të ardhshëm? Si dhe në çfarë mënyre do të parandalojë Shqipëria ikjen jo legale për në Perëndim?
Ne shpresojmë që do të ketë një qëndrim të unifikuar të Bashkimit Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit, sepse deri tani ka pasur një trajtim disi të diferencuar. Shpresojmë që Bashkimi Evropian do ta marrë në konsideratë që janë vende që kanë shumë ngjashmëri në trajtimin e problemeve. Unë mendoj që do të ishte mirë që gjërat të vinin sa më shpejt. Ne shpresojmë që viti 2010 do të jetë shumë i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Kjo është së paku ideja e institucioneve, por edhe pritshmëria e publikut. Gjithsesi kjo qëndron në duart e Bashkimit Evropian.
Shqipëria pas disa peripecish ka konfiguruar Qeverinë e re. A funksionon ajo normalisht dhe cilat janë masat e para të saj? A do të lejojë shteti që opozita të numërojë sërish votat e zgjedhjeve të qershorit?
Unë mendoj që stabiliteti i institucioneve të Shqipërisë është i dukshëm. Vërtet ka një koalicion të ri qeverisës, por në thelb ky është një vazhdim i qeverisjes së mëparshme, sepse pjesa më e madhe mbulohet nga ministra të Partisë Demokratike dhe Kryeministri është po ai që ka qenë. Vërtet ka probleme të debatit politik me opozitën. Unë nuk mendoj që këto probleme zgjidhen me institucione të tjera, por zgjidhen vetëm me vullnet politik të partive që janë në proces. Ky debat është ende në vazhdim. Nuk mund të bëjmë ndonjë parashikim, por shpresoj që gjithçka të kthehet në dialog normal!