Rritet çmimi i naftës, arrin në 78 USD fuçia
Çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ka pësuar rritje. Sipas mediave të huaja, për herë të parë gjatë këtij viti një fuçi naftë në tregjet e huaja është kuotuar me 78.53 dollarë, duke pësuar rritje krahasuar me pak javë më parë. Por sipas ekspertëve, çmimi i arit të zi në tregjet ndërkombëtare pritet të pësojë rritje në muajt në vijim. Sipas një raporti të ri të publikuar nga një organizatë e rëndësishme britanike për naftën, thuhet se burimet e arit të zi mund të reduktohen në vitet e ardhshme. Prodhimi i naftës në një nivel të caktuar do të bjerë dhe asnjë lloj investimi nuk mund ta ndryshojë këtë prirje. 10, 15 apo 20 vjet më vonë nuk është kohë tepër e largët. Drejtuesit e organizatës thonë se ka marrë fund kur çmimi i naftës ishte i lirë, pasi kjo kohë nuk vjen më. Luhatjet e çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare ka një reflektim të menjëhershëm në tregun vendas. Kjo për vetë konjunkturën që ka tregu vendas, pasi gati 90 për qind e nevojave të vendit për konsum plotësohet nga importi. Aktualisht në Shqipëri operojnë rreth 6 importues vendas, ndërsa dy importues të tjerë janë grekë. Por, kompanitë vendase zënë rreth 70-80 për qind të sasisë së naftës që importohet.