Birra e parë shqiptare kalon kufijtë kombëtarë
Pas suksesit të padiskutueshëm kombëtar, këto ditë, birra e parë shqiptare ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë, për të konkurruar me dinjitet në tryezat botërore përkrah birrave më të njohura ndërkombëtare.
Ishin pikërisht kërkesat e vazhdueshme për "Birra Korça" nga kompanitë e shteteve fqinje dhe më larg, ato që nxitën përshpejtimin e investimeve, duke bërë të mundur rritjen e kapaciteteve të prodhimit për të përballuar kërkesat për këtë produkt edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Eksporti i "Birra Korça" filloi me tregun grek me mbi 40 000 shishe, për t'u hapur rrugën edhe tregjeve të tjera amerikane, maqedonase, kosovare, italiane, etj.
Kjo shënon edhe pikënisjen e një investimi të konsiderueshëm për fabrikën e prodhimit të birrës së parë shqiptare, "Birra Korça", ku teknologjia bashkëkohore çeke në 4 vjet prodhimi ka bërë që vit pas viti ky prodhim të përmbushë standarde mjaft të larta dhe si rezultat të marrë certifikime ndërkombëtare për cilësinë dhe sigurinë e tij dhe të fitojë çmime prestigjioze në panaire dhe konkurse të ndryshme përkrah birrave më me emër në botë.
Për Drejtorin e Përgjithshëm nga Danimarka, që punon në një ekip me Grupin Hysenbelliu, Jens Erik Holmsgaard, mbështetje maksimale ka pasur edhe nga institucionet përkatëse dhe kjo në lehtësimin e shumë procedurave që lidhen me import-eksportin.
Sipas tij, kjo është ngarkesa e parë për eksport, e cila shkon drejt Greqisë. Ndërkohë gati janë edhe kontratat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Maqedoninë, Kosovën, të cilat priten të konkretizohen së shpejti.
"Kam punuar - thekson ai - në industrinë e birrës në shumë vende të botës dhe dua të theksoj se 'Birra Korça' është birrë e cilësisë së lartë nga një këndvështrim ndërkombëtar. Mendoj se eksporti i këtij produkti dhe i shumë të tjerëve në vendin tuaj tregojnë për progres të vazhdueshëm të Shqipërisë, zhvillim të industrisë dhe më vjen mirë që edhe ne kontribuojmë për emrin e mirë të saj".
Fabrika "Birra Korça" nga viti 2006 është në proces zhvillimi dhe investimi të mëtejshëm. Sot ajo raporton se mund të prodhojë mbi 10 milionë shishe në vit dhe investimet po vijojnë njëra-tjetrën.
Sipas drejtuesit Holmsgaard, zhvillimi i biznesit në një vend sjell më shpejt ndryshimin.