Spartak Poçi: Olldashi falsifikoi firmën time
nertila maho
Dy ditë më parë, ministri Sokol Olldashi, çoi në prokurori një padi me akuzën "shpërdorim detyre", ndaj parardhësit të tij. Spartak Poçi konfirmon se do t'i përgjigjet me të njëjtën "monedhë". Në një intervistë për gazetën ai mohon përgjegjësinë se një dokument i firmosur prej tij ka favorizuar "General Electric" në gjyq dhe pretendon se firma e tij është falsifikuar.
çfarë parashikonte kontrata me "General Electric", në çfarë procedurash ka kaluar ajo para se të bëhej shkak për të përfunduar në arbitrazh?
Puna për projektin e rikonstruksionit dhe modernizimit të hekurudhës Tiranë-Durrës ka filluar që në vitin 2002, në Qeverinë tjetër socialiste, "Qeveria Majko". Në vazhdim të saj u finalizua një kontratë paraprake preliminare, kur erdhi "Qeveria Nano". është përgatitur dhe firmosur një marrëveshje paraprake, e cila përcaktonte detyrimet për palët. Mbas kontratës preliminare, të dy palët, kontraktori, që ishte Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave dhe "General Electric" filluan punën për përgatitjen e kontratës definitive. Natyrisht kontrata preliminare veç të tjerave parashikonte dhe faktin që qëndrimet e të gjithë palëve dhe shpenzimet që do të kryheshin për studimin e parë do të përballoheshin nga pala "General Electric".
Nga ana e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve thuhet "se kjo marrëveshje nuk është ratifikuar në Parlament". çfarë ndodhi që kontrata nuk kaloi gjithë procedurat e nevojshme?
Po, është e drejtë që nuk është ratifikuar, por kjo nuk ka qenë asnjëherë sekret. Gjatë asaj kohe, kur projekti ka shkuar në Parlament dhe ishte diskutuar në komisione, Banka Botërore kërkoi një rishikim të studimit të fizibilitetit që ishte pjesë e kontratës teknike dhe komerciale. Ajo kishte disa arsye dhe ne e pranuam kërkesën dhe e tërhoqëm nga Parlamenti, ku kishte shkuar për ratifikim dhe paralelisht lajmëruam kompaninë që e kemi tërhequr. Më pas firmosja dhe miratimi i kontratës nga ekzekutivi u bë gati disa ditë para fillimit të fushatës së zgjedhjeve, kur Parlamenti kishte pushuar së vepruari. Kështu që mbeti për t'u ratifikuar në Parlamentin e ardhshëm, sepse kështu duhet të ndodhë si proces. Ky ishte rregulli dhe mënyra e sjelljes së gjithë palëve të involvuara në këtë projekt. Me zhvillimin e zgjedhjeve "Qeveria Nano" ndryshoi jo vetëm si Qeveri, por edhe si parti dhe në pushtet erdhi tjetra.
Me aq sa jeni i informuar, çfarë nuk i pëlqeu Qeverisë së re tek projekti?
Qeveria e re që erdhi fitoi zgjedhjet, u konfirmua si Qeveri dhe në një mbledhje të Bankës Botërore të organizuar në Durrës me gjithë donatorët e tjerë, Berisha ka deklaruar që ky projekt jo vetëm që do të zbatohet, por do të shkojë deri në Kavajë. Ne e kishim çuar linjën deri në Golem, por Kryeministri kishte në plan ta çonte deri në qytetin ku ishte deputet vetë. Disa ditë më vonë në media kuptova dhe mora vesh se një grup ministrash si ai i Financave, Ekonomisë, Transporteve me në krye Berishën, (pikërisht ata që bënin pjesë në përgatitjen e këtij projekti) do të shkonin në një takim në zyrat qendrore të "General Electric" në Itali, ku i konfirmuan edhe njëherë palës tjetër që do të vazhdonte projekti. Më vonë, në mënyrë të pakuptueshme, 2-3 ditë më pas, në një letër të firmosur nga tre ministra njoftohet "General Electric" se projekti abrogohet, pra braktiset në mënyrë të njëanshme nga Qeveria shqiptare. Menjëherë GE e hodhi në arbitrazh çështjen dhe mbas disa kohësh fitoi gjyqin dhe janë vënë edhe penalitetet përkatëse.
ç'lidhje ka pozicioni juaj i atëhershëm me vendimin e marrë nga Gjykata e Arbitrazhit dhe përgjegjësia që ju faturohet nga Ministria e Punëve Publike për gjobën 12 milionë euro?
Mënyra se si po përpiqet të dalë Olldashi dhe të tjerët është kjo, ata kanë kapur një nga korrespondencat e vitit 2003. Një nga korrespondencat që ministria ka komunikuar me "General Eelectric". është një e ashtuquajtur shkresë, por që në fakt është një faks i montuar me firmën time, pa kokë e data, ku unë i them kompanisë që të vazhdojnë me projektin. Natyrisht, ata do procedonin, sepse bëhej fjalë për të vazhduar me ato detyrime që përcaktonte kontrata për të kompletuar përfundimtaren, sepse ata bashkëpunonin me ne për studimet që nga ato gjeologjike, për ta konkretizuar kontratën. Me tërheqjen nga ana jonë të draftit në Parlament, GE që e mori vesh nga mediat, u shqetësua dhe kërkoi një shpjegim prej ministrisë, të cilin unë ua dhashë duke iu thënë që të vazhdonin të procedonin.
Ministri Olldashi pretendon se ju nuk jeni paraqitur në asnjërën seancë gjyqësore në arbitrazh? Realisht ju keni marrë ndonjë thirrje?
Mua nuk më është bërë asnjë kërkesë, as zyrtare dhe as jozyrtare. Nuk mund të shkoja në arbitrazh të mbroja të kundërtën e asaj që kisha punuar, jo vetëm unë, por gjithë Këshilli i Ministrave, sepse këto gjera nuk janë përgjegjësi e një ministri. Me Olldashin dhe strukturat e ministrisë nuk kam pasur asnjë kontakt deri tani, ndonjë shkelje në gjithë praktikën e shkresave nuk ka, as ndonjë kundravajtje ligjore apo ndaj rregullave. Projekti do të fillonte në momentin që do të kalonte në Parlament. Një pikë e kontratës përcaktonte se, nëse Parlamenti ose Qeveria në finale nuk i miraton këto, ajo nuk kishte asnjë përgjegjësi financiare apo ligjore, sepse vullneti i Parlamentit është sovran dhe vendos "kundër", edhe pa dhënë arsye. Problemi në këtë rast është që "jo"-në nuk e ka thënë Qeveria dhe Parlamenti, por tre ministra.
Ndaj jush është ngritur një padi, e cila ka në thelb akuzën për "shpërdorim detyre". Ju çmendoni të bëni për akuzat që ju adresohen? Do të padisni edhe ju ata që mendoni se janë përgjegjësit realë?
Patjetër, unë do iki të njihem njëherë me çështjen, sepse e kam dëgjuar vetëm në shtyp, pastaj do të shoh dhe do të bëj edhe unë paditë e mia. E para, sepse nuk është hera e parë që zoti Olldashi merr nëpër gojë emrin tim dhe përpiqet që ta njollosë përmes deklaratave të papërgjegjshme. Gjithashtu, do të bëj padi për ata persona që e çuan vendin tonë para arbitrazhit dhe Qeverinë tonë para një vendimi të tillë, që e penalizon.
Prokuroria shqyrton padinë e Olldashit
TIRANE - Kallëzimi penal i Ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, ndaj paraardhësit të tij, Spartak Poçi, ka mbërritur të hënën në orën 16:00 në Prokurorinë e Tiranës. Dosja është depozituar fillimisht në sekretarinë e institucionit, ndërsa dje i kaloi prokurorit të rrethit për shqyrtim. Procedura parashikon që kryeprokurori i rrethit do të vendosë regjistrimin ose jo të procedimit penal, i cili më pas do t'i ngarkohet për t'u hetuar një prokurori. Pas kësaj procedure, pritet që prokuroria të fillojë verifikimin paraprak, gjatë të cilit nëse gjenden elementë të veprës penale vendoset regjistrimi i procedimit penal, çka nënkupton marrjen në hetim të personit të kallëzuar penalisht.
Tuneli i Thirrës hapet më 21 maj
Tuneli i Thirrës i Autostradës Durrës-Morinë do të hapet për automjetet në datë 21 maj ora 10:00. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve në një njoftim, duke informuar se kanë përfunduar të gjitha punimet në strukturën mbështetëse të Galerisë Jugore të tunelit. Punimet elektromekanike dhe të sistemeve të kontrollit të trafikut janë instaluar dhe integruar plotësisht në një sistem të kontrollit qendror, që përfshin: 26 ventilatorë të mëdhenj ajrimi, më shumë se 70 kamera çTV, sinjalistikën e mesazheve variabël elektronik, një sistem kundër zjarrit e shumë detaje të tjera. Tuneli i Thirrës u mbyll muaj më parë për shkak të një shembjeje.