Faljet, ministrit i jepet kundërfirmë
Erald Kapri
Mbërrin në Kuvend projektligji i Qeverisë "për faljen", i cili përcakton kriteret e reja për të përfituar faljen presidenciale për të gjithë të dënuarit. Projektligji përcakton kriteret e reja, si dhe procedurën për të përfituar amnisti të plotë të viteve të burgut ose të uljes së dënimit. Sipas projektligjit të Qeverisë, çdo i dënuar tashmë nëpërmjet avokatit të tij mund të bëjë kërkesë për falje në Ministrinë e Drejtësisë për të përfituar. Ministria ia kalon dosjen Presidentit të Republikës, i cili mbetet autoriteti i vetëm i shtetit, i cili mund të japë vendimin. Sipas relacionit të Qeverisë, referuar legjislacioneve të vendeve të zhvilluara, projektligji "për faljen" shprehet se "në të gjitha këto vende, madje në kuadrin e normës kushtetuese, është parashikuar e ashtuquajtura "kundërfirmosje" e ministrit përkatës. Parimi i "ndarjes dhe kontrollit të pushteteve" është fryma që përshkon edhe Kushtetutën tonë. Projektligji aktual nuk bën gjë tjetër veçse detajon dhe e zbaton atë në skemën legjislative më të mirë të mundshme".
Kriteret
Projektligji përcakton se falja e dënimit mund të jepet, kur nuk ekzistojnë kriteret ndaluese në ligj, kur personi i dënuar me sjelljen, punën dhe veprimet e tij, tregon se nëpërmjet dënimit të vuajtur është arritur qëllimi për edukimin e tij. Njëkohësisht i dënuari duhet të përmbushë kriteret si, të ketë qenë i mitur kur të ketë kryer veprën penale, kur për shkak të sëmundjes dhe të moshës së personit të vuajtur nuk justifikohet më vazhdimi i mëtejshëm i dënimit, kur e dënuara është shtatzënë, ose ka fëmijë në gji, ose ka të paktën dy fëmijë të mitur si dhe kur personi i dënuar ka vuajtur më shumë se një të tretën e dënimit të dhënë. Njëkohësisht parashikohen edhe disa kritere ndaluese kur falja nuk mund të jepet, kur vendimi gjyqësor nuk ka marrë formë të prerë, kur ka përfunduar ekzekutimi i vendimit, kur ekzekutimi i vendimit nuk ka filluar, për shkak se i dënuari i është shmangur dënimit, kur vepra penale është kryer me egërsi dhe mizori kundër fëmijëve, grave shtatzëna, kur personi i dënuar vuan dënimin për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe kur personi i dënuar është me burgim të përjetshëm.
Kriteret e projektligjit për faljen
I dënuari të përmbushë të paktën njërin prej kritereve të mëposhtme:
1. Personi i dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë i mitur;
2. Kur për shkak të sëmundjes dhe të moshës së personit të dënuar nuk justifikohet më vazhdimi i mëtejshëm i vuajtjes së dënimit;
3. Kur e dënuara është shtatzënë, me fëmijë në gji, ose ka të paktën dy fëmijë të mitur;
4. Personi i dënuar ka vuajtur më shumë se 1/3 e dënimit të dhënë.
6. Në rastin e personit juridik, falja e dënimit mund të jepet nëse janë paraqitur të dhëna dhe dokumentacioni i nevojshëm, lidhur me shpërblimin e dëmit, për përmbushjen e kërkesave të tjera për riparimin e pasojave të shkaktuara nga vepra penale dhe për zbatimin, kryesisht ose sipas urdhërimeve të vendimit gjyqësor apo të autoriteteve mbikëqyrëse për zbatimin e tij, masa efektive për parandalimin e kryerjes së veprave penale në të ardhmen.
Kritere ndaluese për faljen e dënimit
Falja e dënimit nuk jepet në rastet kur:
1. Vendimi gjyqësor nuk ka marrë formë të prerë apo nuk është bërë i ekzekutueshëm;
2. Ka përfunduar ekzekutimi i vendimit;
3. Ekzekutimi i vendimit nuk ka filluar për shkak se i dënuari i është shmangur ekzekutimit;
4. Vepra penale është kryer me egërsi dhe mizori apo kundër fëmijëve, grave shtatzëna a personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen;
5. Personi është dënuar për veprën penale të gjenocidit, krime lufte ose krime kundër njerëzimit;
6. Personi është dënuar me burgim të përjetshëm
7. Ndalohet shprehimisht me ligj.
8. Kërkesa për faljen e dënimit bëhet personalisht nga personi i dënuar ose mbrojtësi i pajisur me prokurë prej tij. Në rastin e personave të dënuar, të mitur, kërkesa për falje bëhet nga njëri prej prindërve, nga kujdestari ose nga mbrojtësi i pajisur rregullisht me prokurë.
9. Në rastin e personave juridikë, kërkesa për faljen e dënimit bëhet nga organi i personit juridik, që ka të drejtën e përfaqësimit me të tretët
Procedura e faljes së dënimit
Kërkesa për faljen e dënimit i paraqitet Ministrit të Drejtësisë dhe duhet të përmbajë;
a) kopjen e vendimit penal të dënimit, për të cilin kërkohet falja;
b) shkaqet ligjore të kërkimit të faljes së dënimit;
c) kopjen e Letërnjoftimit të personit të dënuar;
ç) dokumentacionin për gjendjen familjare të tij;
d) të dhëna për arsimimin e për profesionin e ushtruar para dënimit;
dh) referencën në këtë ligj.
Kërkesa për faljen e dënimit të personave juridikë të dënuar duhet të përmbajë të dhëna:
a) për vendimin penal të dënimit, për të cilin kërkohet falja;
b) dhe dokumente zyrtare lidhur me identitetin e personit që ka të drejtën e përfaqësimit me të tretët;
c) për ecurinë financiare të personit juridik;
ç) për pozicionin në treg dhe marrëdhëniet e tij me organet e administratës publike e persona të tjerë juridikë;
d) për veprën penale, për të cilën është dënuar, llojin e masën e dënimit;
dh) për shkaqe të tjera të veçanta që mund të çmohen nga personi i dënuar.