Tragjedia e Gërdecit, dëshpërimi i çon familjarët e viktimave te Ministria e Mbrojtjes
TIRANË - Shoqata e Viktimave të Gërdecit dorëzoi dje në Ministrinë e Mbrojtjes një kërkesë për dëmshpërblim për dëmet që u shkaktoi tragjedia e 15 marsit 2008 nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve. Kreu i Shoqatës, Feruzan Durda, shpjegoi dje se kërkesa iu dorëzua Ministrisë së Mbrojtjes me shpresën se ky dikaster do t’i zhdëmtojë me 20 milionë lekë për çdo viktimë. “Do të kërkojmë nga 20 milionë lekë (të rinj) për çdo viktimë. Kërkesa jonë është e bazuar në ligj dhe presim një përgjigje brenda 30 ditëve”, - shpjegoi Durda. Por, nëse kërkesa nuk merret parasysh, atëherë Shoqata e Viktimave të Gërdecit do t’i drejtohet me të njëjtën kërkesë gjykatës.
Në tragjedinë e 15 marsit 2008 humbën jetën 26 persona, 300 te tjerë u plagosën dhe mijëra banesa e subjekte private u dëmtuan. Për këtë ngjarje, më e rënda prej vitesh në vend, po zhvillohet një proces gjyqësor ku çështja "Gërdeci" numëron 29 të pandehur që në pjesën më të madhe janë ish- funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura. Të pandehurit në këtë proces akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës. Procesi aktualisht vazhdon me pyetjen e dëshmitarëve në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës.
Korrupsioni në shkolla, pranga mësuesit dhe nxënësve në Fier
Të arrestuarit dyshohen se kanë falsifikuar dokumentet për të vazhduar vitin e katërt
Njëri prej të rinjve kishte fituar dhe vazhduar studimet në Universitetin e Vlorës
Artan CENA
FIER - Një mësues është vënë në pranga së bashku me disa nxënës të tij, pasi akuzohen për falsifikime diplomash. Arrestimet janë bërë në Fier, gjatë operacionit të koduar “Diploma”. Aksioni është zhvilluar gjatë ditës së djeshme nga uniformat blu të Policisë së Fierit. Burime zyrtare thanë se ndaj personave të ndaluar janë ngritur disa akuza. Të arrestuar janë katër persona, dy të tjerë janë në kërkim, ndërsa drejtoresha e shkollës është vënë nën hetim në gjendje të lirë. Hetimet e policisë kanë zbuluar se të arrestuarit, së bashku me dy të tjerët në kërkim, kanë dhënë dhe marrë para me qëllim regjistrimin në vitin e katërt të shkollës së mesme, me qëllim që ta mbaronin. Shuma e paguar ishte nga 100 mijë deri në 120 mijë lekë. Njëri prej të arrestuarve, pasi kishte mbaruar shkollën në Levan me dokumente të falsifikuara, ishte regjistruar dhe kishte fituar vazhdimin e studimeve në Universitetin e Vlorës.
Operacioni
Shtatë persona në hetim, gjashtë prej të cilëve me masën e sigurisë “arrest me burg”, është rezultati i një hetimi dyjavor nga Policia e Fierit. Kanë qenë efektivët e Sektorit Kundër Krimit Financiar pranë Drejtorisë së Policisë Fier, të cilët, pas një pune investiguese e operative kanë bërë të mundur dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale të zhvilluar nga të ndaluarit. Gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme në pranga janë vënë: Asllan Hetemi, 44 vjeç, lindur dhe banues në Fier, me profesion mësues; Renaldo Gashi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Fier; Eduart Kasaj, 20 vjeç, banues në Patos; si dhe Kreshnik Maloku, 26 vjeç, lindur dhe banues në Fier. Ndaj katër personave të mësipërm janë ngritur akuzat e “falsifikimit të dokumenteve shkollore”, “korrupsionit pasiv”, “korrupsionit aktiv” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Sipas policisë, arrestimi i tyre është bërë pasi nga muaji shtator i vitit 2009 deri në muajin janar 2010, kanë kryer falsifikime të ndryshme. Konkretisht, sipas policisë, Asllan Hetemi (mësues në shkollën e mesme Levan Fier), në bashkëpunim me Kreshnik Malokun, u kanë marrë Renaldo Gashit, Eduart Kasajt, Petrit Gashit dhe Alban Kajollit një shumë lekësh nga 100 mijë deri në 120 mijë lekë secilit, e më pas, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë bërë të mundur regjistrimin e tyre në vitin e katërt të shkollës së mesme Levan, pa përfunduar në vitet e tjera të shkollës së mesme.
Nën hetim
Por, veç të arrestuarve, dy të rinj të tjerë janë në kërkim, pasi nuk janë kapur dot. Policia e Fierit tha se janë proceduar në mungesë për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve shkollore”. Dy të kërkuarit janë, Alban Kajolli, 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Dërmenas të rrethit Fier dhe Petrit Gashit, 20 vjeç, lindur dhe banues Fier. Këta dy persona, nëpërmjet përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, janë regjistruar si nxënës të vitit të katërt në shkollën e mesme Levan, Fier. Gjatë hetimeve janë sekuestruar si prova materiale katër praktika të falsifikuara të regjistrimit të nxënësve në shkollën e mesme Levan, si dhe një palë dokumente automjeti të falsifikuara, të gjetura gjatë kontrollit të banesës së Asllan Hetemit.
Hetim në gjendje të lirë për drejtoreshën
Veç të arrestuarve policia ka vënë nën hetim në gjendje të lirë dhe drejtoreshën e shkollës së mesme në Levan. Uniformat blu thanë se nga ana e Sektorit Kundër Krimit Financiare ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë ndaj Sanie Dullas, 42 vjeçe, nga fshati Levan i Fier. Ajo është drejtoresha e shkollës së mesme në fshatin e lindjes së saj, e padënuar dhe me kombësi e shqiptare. Ndaj 42-vjeçares policia tha se ka filluar procedimi penal për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi ka bërë regjistrimin në shkollën e mesme Levan të nxënësve të mësipërm, pa marrë konfirmimet nga shkollat përkatëse sipas dispozitave normative për arsimin parauniversitar.
Mbërrin letër-porosia nga Holanda pa dëshminë e Loshajt
TIRANË - Autoritetet holandeze risollën letër-porosinë, por sërish pa dëshminë e Avdyl Loshajt. Sipas përkthyesit zyrtar të Gjykatës së Krimeve të Rënda shkak është bërë mungesa e adresës. Sipas autoriteteve holandeze, nuk rezulton asnjë person i regjistruar me këto gjeneralitete. Në këtë moment ka ndërhyrë dhe prokurori i çështjes, i cili ka ofruar ndihmën e institucionit që përfaqëson për të dhënë adresën e saktë të Loshajt. Sipas prokurorit Xhevat Hana, Loshaj, kur është pyetur në vitin 2003 ka shprehur gatishmërinë e tij për të dëshmuar për çështjen e Remzi Hoxhës, por në të njëjtën kohë ka thënë se nuk do të japë adresën për shkak se i kërcënohet jeta. Në këtë mënyrë, përfaqësuesi i akuzës pritet t’ia japë adresën e Loshajt Gjykatës në rrugë konfidenciale. Avdyl Loshaj, së bashku me Remzi Hoxhën dhe Ziso Kristopullin, dyshohet se u rrëmbyen nga SHIK-u pasi për ta kishte dyshime se ishin pjesë e shërbimeve të huaja të zbulimit. Po gjatë seancës së djeshme, Gjykata i njohu palët se kishte mbërritur dhe letër-porosia nga Itali për marrjen në pyetje të tre shtetasve shqiptarë në cilësinë e dëshmitarëve për këtë proces. Sipas autoriteteve italiane, shtetasit shqiptarë kishin rënë dakord për të dhënë dëshminë e tyre në muajin qershor. Ata janë Martin Miraj, ish-shefi i SHIK-ut në Lezhë, Flora Hasanaj dhe Gjok Hasanaj. Dëshmia pritet të jepet më 25 qershor në Gjykatën e Pistoias në Itali.
Arrestohet adoleshenti pa patentë, shkaktoi aksident me vdekje
DURRËS - Një 17-vjeçar është vënë në pranga nga policia pasi ka shkaktuar një aksident me vdekje. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur se arrestimi është bërë në orën 23:00 të dy ditëve më parë. “U bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. K., 17 vjeç, banues në Lagjen Nr. 1 Durrës, me arsim 9 klasë”, - thanë burimet zyrtare nga policia lokale. Ndalimi i tij është bërë pasi rreth orës 20:45, në kohën kur drejtonte automjetin tip “Benz” me targë TR 0060 M, në segmentin rrugor Kavajë–Plepa, pikërisht pranë Shkëmbit të Kavajës, ka aksidentuar me pasojë vdekjen këmbësorin Luan Pirja, 52 vjeç, banues në Kuçovë. Pas marrjes së njoftimit në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu që kanë bërë ndalimin e adoleshentit për veprat penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “drejtimit të mjetit pa dëshmi”. Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Durrësit.
Në hetim burri, plagosi pa dashje bashkëshorten
FUSHË-KRUJË - Plagos pa dashje bashkëshorten, vihet në hetim në gjendje të lirë. Ngjarja ka ndodhur në Fushë-Krujë dy ditë më parë. Drejtoria e Policisë së Durrësit ka bërë të ditur se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të 29-vjeçarit me inicialet B. K. Hetimi ndaj tij ka filluar pasi ky person, rreth orës 16:00, në banesën e tij, ka plagosur me thikë, pa dashje, në ijen e djathtë, bashkëshorten e tij, shtetasen me inicialet D. H., 16 vjeç, banuese në Fushë-Krujë. Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës kur e plagosura ishte duke punuar. Ajo, pas ndihmës mjekësore të marrë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se, dosja me materialet procedurale për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Sqarim
Gazeta “Albania” sqaron se personat Altina Veshi, Besa Xhelilaj, Mimoza Xharo, Drini Mema, Gëzim Bajrami, Ilirjan Kishta, Petrit Subashi, Bujar Xhakolli dhe Ilirjan Burhanaj nuk i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës për t’u rikthyer në punë, por ata kanë një proces civil me objekt tjetër gjykimi. Gazeta u kërkon ndjesë këtyre personave për këtë gabim teknik.
20 Maj 2010