Vetëdorëzohet në polici i dyshuari për vrasjen e dyfishtë
DURRËS - Është vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit autori i vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Krujë më datë 12 maj të këtij viti. Gëzim Zeneli ka vrarë me armë dy persona, vëlla e motër. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se vetëdorëzimi i Zenelit ka ardhur pas negociatave dhe masave të marra, pasi për personin që do të jepte informacione për vendndodhjen e këtij të fundit do të jepeshin si shpërblim 10 mijë euro. “Si rezultat i punës së pandërprerë të kryer nga strukturat për hetimin e krimeve të Drejtorisë së Policisë Durrës dhe Komisariatit të Policisë Krujë, kontrolleve të vazhdueshme në këtë drejtim si dhe grumbullimit të informacionit mbi vendndodhjen e tij, është bërë i mundur vetëdorëzimi i personit të kërkuar Gëzim Zeneli, i datëlindjes 30.06.1972, lindur e banues në fshatin Vinjoll të Kurbinit, me arsim 8 klasë, i padënuar më parë, person i shpallur në kërkim më datë 12 maj 2010”, - thanë burimet zyrtare të Policisë së Durrësit. Ky person është i dyshuar se më shumë se një javë më parë, rreth orës 11:50, në fshatin Fushë-Thumanë, Krujë, pas një konflikti për probleme pronësie, ka qëlluar me armë zjarri shtetasit Xhevrie Stafa, 50 vjeçe dhe Qemal Çepani, 41 vjeç (motër e vëlla). Të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku me gjithë ndihmën mjekësore të dhënë, kanë gjetur vdekjen. Menjëherë pas ngjarjes autori i dyshuar është larguar duke iu shmangur hetimit. Në ndjekje për kapjen e tij janë vënë efektivë të shumë të Policisë së Durrësit, Krujës si dhe shuma prej 10 mijë eurosh e ofruar për personat që posedonin informacion të saktë të vendndodhjes së tij. Gjatë periudhës njëjavore Zeneli kishte qëndruar i fshehur në territorin e rrethit të Matit për të mos u kapur. Policia, nga ana e saj, është duke punuar që të gjejë armën e kryerjes së krimit që sipas hetimeve të kryera është hedhur prej tij në afërsi të vendit të ngjarjes. Dosja me materialet procedurale për veprat penale të “vrasjes së kryer në rrethana të cilësuara” dhe “mbajtjes pa leje të armëve municioneve luftarake” do t’i kalojnë për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Krujë.
20 Maj 2010