E Diel, 1 Nëntor 2026

Birra, historia e saj



Një birrë ashtu siç duhet? Duhet të ketë dy gisht shkumë dhe të jetë kompakte, të shërbehet në temperaturën e frigoriferit dhe në gotën e duhur. Këto janë rregullat kryesore të konsumimit të pijes më të preferuar nga grupmoshat e reja, por edhe nga pjesa tjetër e shoqërisë. Sipas një studimi në Itali, 300 kuzhina ndërkombëtare kanë bërë të ditur se 45 për qind e personave e pëlqejnë birrën dhe kjo falë shërbimit të zgjedhur dhe përshtatjes me ushqimet e ndryshme, shpeshherë edhe në mënyra nga më të çuditshmet. Për ta vlerësuar akoma më shumë pijen hyjnore, duhet të kemi parasysh disa norma bazë, të cilat nxjerrin në pah shijen e vërtetë dhe kënaqësinë. Presidenti i një prej kompanive më të mëdha të birrës, Piero Perron, shprehet: “Duam t’u mësojmë njerëzve si shërbehet dhe si shijohet birra, sepse disa rregulla duken të thjeshta dhe për këtë i anashkalojnë duke menduar se përfundimi do të ishte i njëjtë. Sipas tij, për të shërbyer një gotë birrë nevojitet vëmendja maksimale ndaj shkumës, që duhet të jetë dy gisht e lartë dhe kompakte në të njëjtën kohë. Shkuma, në fakt, është ajo që ruan shijen dhe aromën e pijes, por në të njëjtën kohë shkuma e mbron nga oksidimi. Derdhja në gotë kalon në dy faza, fillimisht derdhet lehtësisht duke e mbajtur gotën paksa pjerrtas dhe më pas, me nxitim, derdhet plotësisht. Çdo lloj birre, ashtu si dhe vera, duhet të shërbehet në gotën e duhur. Më kryesorja është se gota duhet të jetë prej xhami, të jetë e pastër dhe e lagur me ujë të ftohtë për të ulur disi temperaturën dhe për të favorizuar shkumën e plotë. Temperatura e një birre që mbahet në frigorifer duhet të jetë 3 deri në 6 gradë dhe ky rregull vlen më tepër për llojet e birrës së lehtë si “Lager” dhe ”Pils”. Kjo lloj pije duhet ruajtur në vende të freskëta, por gjithnjë duke shmangur lagështirën. Në ndryshim nga vera, birra konsumohet e freskët, pasi vetëm në këtë mënyrë ruan shijen.

Kur birra takon peshkun
Birra konsumohet më tepër si aperitiv ose për të shoqëruar antipastën. Më herët ajo pihej me çdo lloj ushqimi, si simbol i gëzimit dhe gjallërisë. Tashmë birra vjen të tryezat tona për të shoqëruar prodhimet e detit, duke konkurruar në një farë mënyre verën. E reja më e fundit lidhet me faktin se birra është shoqëruesja perfekte e peshkut, duke u bërë një nga më të preferuarat e kuzhinës mesdhetare. Ky lloj kombinimi në pamje të parë mund të duket disi i çuditshëm, por në të vërtetë kjo është eksperimentuar dhe vlerësuar si pozitive në Europë dhe më gjerë. Ekspertët e birrës kanë vërejtur një tendencë për ta konsumuar pijen me midhje, dhe vendet më të njohura janë Irlanda, Gjermania, Belgjika dhe Holanda. Të gjetura janë edhe aragosta, oktapodi, karkalecat, që shoqërohen me birrë të errët. Ashtu siç veprohet me verën, edhe për birrën është e nevojshme t’i kushtohet vëmendje llojit për çdo lloj recete: birrat e lehta shkojnë në mënyrë perfekte me peshkun koc të gatuar në avull, ato më të theksuara vlejnë për peshkun me shije më të theksuar. Në rastin e antipastave, me supën e peshkut ose sallatat me prodhime deti mund të shërbehet birrë e lehtë belge.
Me antipastat që kanë si bazë peshk të tymosur salmon, troftë ose peshk shpatë, ajo që do të shkonte më tepër është birra e famshme gjermane. Një birrë më e fortë do të shkonte mirë me antipastat me salcë ose salmonin me majonezë apo karkaleca me salcë të kuqe.

Historia e birrës
Birra është pija alkoolike më e vjetër dhe më e njohur në botë. Ajo është konsideruar pija e tretë më e konsumueshme pas ujit dhe çajit. Shiten më shumë se 133 miliardë litra në vit. Prodhohet nga tharmëtimi i lëndëve me bazë niseshtenë, zakonisht elbi, megjithëse përdoren, ndër të tjera, edhe rrënjët e kasavës (Manihot esculenta) në Afrikë, patatja në Brazil dhe agavja në Meksikë. Vetëm pijet e prodhuara në këtë mënyrë mendohen të jenë birra të mirëfillta. Për shkak të përbërësve dhe ecurive të përdorura nga bërësit e birrës, birra mund të ndryshojë vetitë e saj në shije dhe ngjyrë. Birra është përmendur 6000 vjet para lindjes së Krishtit dhe është shkruar në historinë antike të Egjiptit dhe Mesopotamisë. Ajo u shpërnda në Europë nga gjermanët dhe keltët, duke mbetur pija e preferuar e europianëve. Birrat e para kishin në përbërjen e tyre: fruta, mjaltë, bimë të ndryshme, erëza, por edhe substanca që tashmë njihen si substanca narkotike.

10 llojet e birrave fituese të Kupës së Artë 2008
1. Amber Ale, e prodhuar nga MacTarnahan në SHBA
2. Trumer Pils e prodhuar nga Trumer Brauerei Berkeley
3. Brugse Zot Blond e prodhuar nga Brouwerij De Halve Maan në Belgjikë
4. Schneider Weisse Original e prodhuar nga Schneider Weisse, Gjermani
5. Old Milwaukee Light, e prodhuar nga Pabst Breweing në Ilinois
6. Tooheys Extra Dry e prodhuar nga Tooheys Pty Limited, Australi
7. Blarney Sisters Dry Irish Stout, e prodhjuar nga Third Street Aleworks, SHBA
8. McGarvey’s Scottish Ale, e prodhuar nga Oggi's Left Coast Brewing, Irlandë
9. Elk Grove Brewery e prodhuar nga Bock Lager, SHBA
10. Paradox Grain, e prodhuar nga Brew Dog, Angli

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›