E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tata Nano në të ardhmen edhe në Europë dhe Amerikë



Për automjetin Tata Nano është folur shumë gjatë këtij viti, duke e cilësuar automjetin më të lirë në botë. Megjithatë, çmimi i tij prej 2.000 dollarësh pa tatim vlen vetëm për Indinë, kështu që prodhuesit e tjerë nuk janë edhe aq të shqetësuar. Siç njofton “Financial Times”, kompania Tata Motors është duke planifikuar që prodhimin e saj ta nxjerrë edhe në tregjet europiane dhe ato amerikane. Prodhuesit e Tata Nanos janë të vetëdijshëm se duhet të plotësojnë shumë standarde për siguri dhe për ekologji dhe të shtojnë edhe aparaturë shtesë nëse dëshirojnë të kenë sukses, mirëpo kjo do të thotë se do të duhet ta rrisin edhe çmimin. Planet që ky automjet të arrijë në Europë llogariten deri në vitin 2011, ndërsa për në SHBA në vitin 2012.

“Chairman”, telefoni i mençur hibrid nga “Ulysse Nardin”

Një telefon i pazakontë, së paku nga ajo që mund të shohim paraprakisht, është paraqitur nga kompania Ulysse Nardin. Telefoni i mençur hibrid, me emrin Chairman, ka ekran me madhësi prej 2.8 inçësh, lexues për zhbllokim që reagon në shenjat e gishtërinjve, kamera prej pesë megapikselash, mbështetje për WiFi dhe aplikacionet për shfletimin e internetit dhe leximin e postës elektronike. Telefoni do të prodhohet vetëm në një numër të caktuar, nga të cilët theksohen Rose Gold, Rose Gold & Blue, Rose Gold & Steel, tërësisht të zinj dhe të kaltër metalik.
Pajisja aktualisht është duke u paraqitur nëpër panaire të ndryshme dhe nuk janë dhënë detaje për çmimin apo datën e paraqitjes së tij në treg.

LG nga laptopët prodhon celularë

Për shkak të ndryshimeve në kërkesat e tregjeve dhe dobësimit të ekonomisë botërore, LG do të vërë më shumë theksin në prodhimin e celularëve. Të parët në plan janë pajisjet me tastierë të plotë QËERTY dhe ato me ekran të ndjeshëm në prekje. Deri në fund të vitit, kompania planifikon të prodhojë celularë në të cilët, mes të tjerash, do të përpunojë dizajnin dhe do të investojë edhe në komponentë të tjerë (më shumë memorie dhe fotoaparate më të mira). Në anën tjetër, në ofertë do të jenë edhe modelet me çmime më të ulëta. Kompania e famshme LG ka arritur në këtë përfundim pasi këtë vit është mbivlerësuar tregu i laptopëve në përgjithësi.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›