E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamja pranverore, ngjyrat për tualetin e kësaj stine

Dhjetë këshilla për një pamje vere dhe më seksi. Taka të larta, flokë të çelur dhe qerpikë falsë

Protagoniste e të gjitha sfilatave të pranverës, roza rikthehet fuqishëm në të gjitha nuancat e saj të ëmbla e plot shkëlqim për tualetin në këtë stinë. Në ditët e ngrohta duhet të bëni vetëm një gjë: të hapni kutitë e grimit, furçat dhe buzëkuqët e të bëni një truk të lehtë, fare të lehtë. Sigurisht, ky mision është i pamundur që të realizohet me nuanca gri, blu ose vishnje. Ndaj specialistët e make up-it këshillojnë një dhe vetëm një ngjyrë për trukun e pranverës: rozë.
Lejlaja
Rikthehet fuqishëm edhe këtë vit. Me një të veçantë. Pasi ka pushtuar frymëzimin e stilistëve nëpër skica veshjesh, tani bëhet tendencë edhe e trukut të mbrëmjes. Sepse ngjyrës lejla nuk i thua dot jo. E kemi parë mbi pasarela: lejlaja është përfundimisht një nga ngjyrat e forta të stinës. Është bërë protagoniste edhe e trukut të syve. Jo më e sfumuar në tone, si në vitet e shkuara. Si? Tani ngjyra lelja përdoret në të gjithë qepallën, bashkë me penelin për të ngopur ngjyrën. U shkon të gjitha atyre që kanë sy të kaltër ose të gjelbër. Kombinohet me rimel të zi. Pasi të kesh vendosur mbi qerpikë rimelin e zi, kalo vetëm te majat e sipërme një furçë rimeli ngjyrë lejla.
Këshillat
Specialistët japin dhjetë këshillat për një pamje vere edhe më seksi. Taka të larta, flokë të çelur dhe qerpikë falsë. Mos harroni të buzëqeshni! Kështu keni siguruar pamjen më joshëse. Dini si të prezantoheni në takimin e parë me verën? Jo? Por jeni duke e menduar? Atëherë na lejoni t’ju japim disa këshilla mbi tendencat, grimin dhe ato çfarë duhet të kini mirë parasysh për të qenë në formën më të shkëlqyer gjatë verës dhe mbi të gjitha që të ndiheni të bukura.
Takat
Nuk ecni dot mbi taka? Nuk jeni rehat me to? Na vjen keq, por ky nuk mund të të shërbejë si justifikim, sepse dhe këtë vit janë në modë të lartat. Edhe pse ato me takë të ulët nuk janë përjashtuar nga pasarelat, dihet që një pamje elegante mund të përvijohet veçse në majë të një palë takave marramendëse. Një zgjidhje mund të jetë që të gjeni një palë sandale ose shapka shumë komode dhe rezultati dihet: do të dukeni shumë tërheqëse.
Flokët
Bëhuni bjonde. Lyejini flokët me një ose dy tonalitete më të hapura se ngjyra juaj origjinale dhe do të keni menjëherë një pamje më verore, por gjithashtu shumë natyrale. Sepse dihet tashmë botërisht që ngjyrat e errëta nuk shkojnë dhe aq me sfondin e qetë ngjyrë rëre dhe deti. Në ditët e nxehta do të bënit mirë që t’i kërkonit parukieres suaj një ndryshim të ngjyrës së flokut, duke anuar në nuancat e çelura sigurisht.
Qerpikët
Qerpikët falsë janë në modë dhe teknikat për t’i pasur të tillë janë gjithmonë e më të përparuara. Mund të vendosni qerpikë falsë ose tufëza të vogla, për të përftuar qerpikë më të dendur dhe më të gjatë. Një teknikë tjetër më e sofistikuar është ajo që quhet “eyelash extension”. Tufëzat nuk ngjiten në qepallën e syrit, por drejtpërdrejt te qerpikët. Kjo teknikë, shumë e përdorur në Hollivud, e bën shikimin thjesht të parezistueshëm dhe mjaft natyral. Extensioni i qerpikëve zgjat pak a shumë dy muaj, një periudhë kjo plotësisht ideale për pushimet (por kujdes që mos të fërkosh sytë si të kishe qerpikët e tu!)
Minifundet
Keni shmangur gjithmonë minifundet sepse janë shumë të shkurtra dhe “të zhveshura” për shijet tuaja? Moda e verës 2009 ofron një zgjidhje që quhet “fuseaux” (lloj getash të prera te majat, të cilat lënë të lira këmbët).
Mbani fuseaux nën minifund ose poshtë një fustani të shkurtër për një pamje tërheqëse dhe joshëse, por që ju lejon në të njëjtën kohë të lëvizni lirshëm, pa u ndier në siklet. Rezultati: do të shijoni më mirë ditët e nxehta dhe nuk do t’ju duket vetja si e ardhur nga një tjetër planet.

Rregullat e arta të grimit

Pa marrë parasysh modën momentale, gjithmonë vlen rregulli se lëkura që i keni kushtuar kujdes është baza më e mirë për grim. Kremrat hidratues në fytyrë, për këtë shkak, duhet gjithsesi të vihen para gjumit dhe para vënies së grimit, përndryshe grimi mund të duket jouniform. Ngjyra e pudrës apo bazës duhet të jetë sa më e ngjashme me ngjyrën natyrore të lëkurës. Fytyra e kafenjtë mbi një qafë të bardhë nuk duket mirë. Pudra dhe baza duhen fërkuar mirë në mënyrë që kalimi midis fytyrës dhe qafës të mos jetë i dukshëm. Gjithmonë, para se të shkoni në shtrat, duhet ta pastroni fytyrën, ngase fjetja me grim në fytyrë e përshpejton paraqitjen e rrudhave. Ngjyra e hijes për kapakët e syve nuk duhet gjithmonë të përshtatet me ngjyrën e rrobave që vishni, ngjyrat e ndryshme mund të duken më bukur. Me laps apo tush për sy duhet të jeni të matur në mënyrë që sytë të mos duken keq. Linjën e drejtë do ta bëni më lehtë nëse e mbështetni bërrylin në një bazë të rrafshët. Nëse nuk jeni precizë me tush, atëherë përdorni lapsin për sy. Ai nuk kërkon një precizion aq të madh. Mos harroni që buzët t’i lyeni rregullisht me balsam, ngaqë atëherë edhe buzëkuqi do të duket shumë më mirë. Buzëkuqi kremoz është i shkëlqyeshëm për buzët që kanë nevojë për një kujdes shtesë, si dhe për gra paksa më të moshuara. Mos përdorni maskarën apo lapsat e syve të të tjerëve. Sytë janë shumë të ndjeshëm në infeksione të ndryshme. Po ashtu, maskarën duhet ta hidhni pas tre muajsh përdorimi, meqë në të shumohen shumë baktere. Pas vënies së bojëkuqit në fytyrë, ajo menjëherë do të duket më e freskët. Por, me rëndësi është që të mos ketë skaje të theksuara. Bojëkuqin duhet ta vini me brushë të trashë dhe, sipas nevojës, ta lyeni me gishta.

Dëmtimi nga dielli, armatosuni me kremra mbrojtës

E dimë të gjitha: lëkura duhet mbrojtur kundër efekteve të dëmshme të diellit. Të digjesh vetëm një herë, do të ishte e tepërt (lëkura nuk harron). Por jo vetëm që rrezet e forta të diellit dhe ekspozimi gjatë ndaj tyre e plak lëkurën, por nuk është aspak seksi të prezantohesh në mbrëmje në një festë me fytyrën të ndezur flakë prej diellit të tepërt. Armatosuni kështu me kremra mbrojtës. Pastaj, për të pasur një lëkurë të nxirë, tashmë nuk duhet më vetëm diell. Pudra të bronzta dhe vetë abronzuesit mund t’ju dhurojnë në çast lëkurë të nxirë. E aplikon mbi lëkurë dhe ajo merr ngjyrën aq të dashur të çokollatës. Stina e verës është e barabartë me vezullim dhe shkëlqim. Përdorni për lëkurën e trupit produkte me bazë vaji. Vetëm bëni kujdes që produkti të mos lërë shenja, sepse ndryshe do të merrni efektin e kundërt. Trukohuni me produkte shkëlqyese. Mos i kurseni nuancat rrëzëllitëse te buzët, sytë, madje mund të guxoni edhe te faqet. Shoqëruar me një lëkurë të errët nga plazhi, produktet shkëlqyese janë në gjendje të bëjnë mrekullira. Do të keni një pamje verore dhe rrezatuese.
E fundit, por jo më pak e rëndësishmja. Këshilla jonë më e mirë ndoshta është kjo: çlodhuni! Flini shumë, qeshni shumë, shijoni qetësinë dhe jini të lumtur! Është kura më e mirë për një trup, mendje dhe fytyrë të shkëlqyer.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›