Sukseset dhe dështimet më të mëdha të Shqipërisë
Dash Frashëri
Hungaria, kundërshtarja e sotme e Shqipërisë, është ekipi që na shkaktuar edhe humbjen më të thellë historike në ndeshjet ndërkombëtare: 12-0, edhe pse flitet veçse për një takim miqësor të zhvilluar gati 60 vjet më parë, më 24 shtator të vitit 1950. Legjenda hungareze, Ferenc Pushkash, ishte edhe autori i 6 golave ndaj Kombëtares sonë.
Gjatë 79 ndeshjeve zyrtare të Shqipërisë në eliminatoret e kampionateve botërore të organizuara nga FIFA, 74 përballjeve në eliminatoret e kampionateve europiane të organizuara nga UEFA, sfidave në kampionatet e Europës Qendrore e Lindore, ndeshjet e vlefshme për Kampionatin Ballkanik (të konsideruara edhe si takimet e para ndërkombëtare të Shqipërisë), ato të vlefshme për Lojërat Olimpike, miqësoret e ndryshme të njohura apo të panjohura nga FIFA (67 të tilla në total), pjesëmarrjet në turnetë ndërkombëtarë të Kupës “Rothmans” apo ato të Norçias në Itali, Shqipëria ka regjistruar fitore të bujshme, barazime historike, por dhe humbje të turpshme.
“Albania” bën një rikthim në kohë për të evidentuar sukseset dhe dështimet më të mëdha të kuqezinjve, duke filluar nga ndeshja e parë, ajo kundër Jugosllavisë, më 7 tetor të vitit 1946 (të humbur 3-2 në “Qemal Stafa”, Kampionati Ballkanik) e deri te ajo kundër Maltës, më 11 shkurt 2009 (0-0, në “Ta’Qali”, eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010).
SUKSESET E BUJSHME
Fitorja e parë historike është ajo kundër Bullgarisë, 3-1, në Kampionatin Ballkanik, më 9 tetor 1946, me dy gola të paharrueshëm të Loro Boriçit e një goli të Pal Mirashit, që e shoqëruar edhe me fitoren 1-0 kundër Rumanisë (goli i Qamil Telitit) i dha trofeun e parë ndërkombëtar Shqipërisë.
Pa dyshim që fitorja historike e Shqipërisë do të mbetet ajo kundër Greqisë (2-1, 4 shtator 2004, eliminatoret e Kampionatit Botëror 2006), atëherë kampione në fuqi e Europës. Dy gola të shpejtë të Edvin Muratit e Adrian Aliajt (një eurogol nga goditja e dënimit) i dhanë famë ndërkombëtare Kombëtares së drejtuar nga gjermani Hans Peter Brigel.
E të njëjtave përmasa është edhe fitorja 3-1 ndaj Rusisë në “Loro Boriçi” (29 mars 2003, eliminatoret e Kampionatit Europian 2004, golat nga Rraklli, Lala e Tare).
Fitorja e parë në eliminatoret e një europiani (1964) është ajo kundër Danimarkës, 1-0 (30.10.1963, gol i Panajot Panos), ndërsa ajo në eliminatoret e një Botërori është ajo kundër Finlandës (1-0, më 10 tetor 1973 në Tiranë, gol i Rramazan Rragamit). Ndaj Finlandës kemi fituar edhe 2-0, më 3 shtator 1980 (eliminatoret e Kampionatit Botëror 1982, golat nga Sefedin Brahi, Millan Baçi).
E bujshme ka qenë edhe fitorja 2-0 kundër Belgjikës për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Meksikë 1986”: golat nga Arben Minga e Mirel Josa.
Nga 1948-a e deri në vitin 2009, në listën e fitoreve të përfaqësueses sonë janë ekipe të mesme e të vogla, por që gjithsesi, u japin bukuri statistikave. Më të shumtat prej tyre janë arritur në ndeshje miqësore e më pak në ato zyrtare. Në transfertë mbetet e përjetshme fitorja 1-0 në Bukuresht me Rumaninë, më 2 maj 1948 (gol i Pal Mirashit) për Kampionatin Ballkanik e Europian, por statistikat ofrojnë edhe fitore kundër Bullgarisë (2-1, 1950), Çekosllovakisë (3-2, 1952), Polonisë (2-0, 1953). Të bukura janë edhe fitoret kundër Moldavisë (3-0, 2-0), ndërkohë që të zakonshme kanë qenë ato kundër Maltës (ku spikasin tri fitore me rezultatin 3-0), si dhe fitorja 4-1 në miqësoren kundër Turqisë.
BARAZIMET ME VLERË
Edhe pse Shqipëri-Gjermani është luajtur 42 vjet më parë, saktësisht më 17 dhjetor 1967, barazimi 0-0 ende u djeg gjermanëve, pasi u detyruan që të mos marrin pjesë në finalet e Kampionatit Europian 1968.
Faqja gjermane në internet rp-online.de e konsideron atë si një humbje, duke e përfshirë në shkrimin me titullin “Legendäre Niederlagen” (Humbje legjendare). Pas një barazimi 0-0 kundër Shqipërisë në vitin 1967 Gjermania humbi pjesëmarrjen në Kampionatin Europian.
Të njëjtin fat pësoi edhe Irlanda e Veriut me barazimin 1-1 në Tiranë (24 nëntor 1965, eliminatoret e Kampionatit Botëror 1996), ku goli i Medin Zhegës i hoqi të drejtën e pjesëmarrjes në finalet e “Angli 1966”.
Një tjetër barazim i madh është ai kundër Polonisë në transfertë (2-2, më 31 tetor 1984, eliminatoret e Kampionatit Botëror “Meksikë 1986”), me dy gola të realizuar nga Bedri Omuri e Agustin Kola. Barazime të bujshme janë dhe ato me Bullgarinë (0-0 në Sofje, 1-1 në Tiranë, për eliminatoret e Kampionatit Europian 2008, trajneri ishte Oto Bariç).
Ky barazim, duke i shtuar edhe ato kundër Suedisë në Tiranë (0-0, 6 shtator 2008) e Portugalisë në Bragë (0-0, 15 tetor 2008), që të dyja këto ndeshje për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010, janë edhe më të barazimet më me vlerë për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Në takimet miqësore është vendosur edhe rekordi përsa u përket fitoreve. I sapoulur në bankinën e Kombëtares, Hans Peter Brigel fitoi 5 me 0 ndaj përfaqësueses së Vietnamit në Norçia të Italisë më 12 shkurt të 2003-it: Bushi, Myrtaj (2), Dragusha e Rraklli ishin dhe autorët e golave.
HUMBJET E TURPSHME
Humbja 12-0 do të qëndrojë përjetësisht në statistikat e përfaqësueses sonë si më e thella, por duke qenë se është arritur në një ndeshje miqësore, thjesht ajo mbetet një kuriozitet historik.
Në ndeshjet zyrtare ka disa humbje të thella, që përpos tragjizmit, shoqërohen edhe me amatorizmin e futbollit tërësisht të izoluar shqiptar.
Danimarka, me të cilën do të përballemi më 1 prill, na ka shkaktuar humbjen e parë në Europë: 4-0 në Kopenhagen, më 29 qershor 1963. Holanda është ajo që na ka mundur për herë të parë në eliminatoret e Kampionateve Botërore (2-0, 25 maj 1964).
Ndaj Gjermanisë kemi bërë disa ndeshje të mëdha, ku kemi humbur edhe 4-3 () apo 3-2 () e 2-1 (), por edhe 6-0 më 8 prill të vitit 1967 e 8-0, më 18 nëntor të vitit 1981 (trajner Loro Boriçi).
Rumania, përveçse na ka mundur 6-1 në eliminatoret e fundit të Euro 2008 (trajner Oto Bariç), na ka shkaktuar edhe një humbje akoma më të thellë në Bukuresht: 6-0 (1950, trajner Ludovik Jakova).
Austria na ka mundur dy herë me të njëjtin rezultat 5-0, ndërsa Spanja na shkatërruar 9-0 në Granada (19 dhjetor 1990, Agron Sulaj), e më pas 5-1 në Tiranë. Franca është një tjetër ekip që na ka shënuar 5 gola, pa pësuar asnjë, më 30 mars 1991 në Paris.
Miqësoret numërojnë disa humbje të thella, kur spikat ajo me Maqedoninë (5-1) në Tetovë, më 14 maj 1994, më pas vjen ajo me Meksikën (4-0) në San Diego të Shteteve të Bashkuara. Shqipëria ka humbur edhe një rezultat të bujshëm 5-3 me Portugalinë, ndërkohë që pjesën e parë e kishim mbyllur 2-1 në favorin tonë.
GOLAT
Pal Mirashi, me golin e tij kundër Jugosllavisë në Kampionatin Ballkanik, është edhe autori i golit të parë ndërkombëtar të Shqipërisë. I fundit që ka shënuar me fanellën kuqezezë është Ervin Skela, në barazimin 1-1 në miqësoren kundër Azerbajxhanit, më 19 nëntor 2008. Ky ishte edhe goli i 197-të ndërkombëtar i Shqipërisë (377 gola të pësuar në total të gjithë kompeticionet). Rekordin absolut e mban Alban Bushi: 14 gola, i ndjekur nga Altin Rraklli (11). Igli Tare, Sokol Kushta dhe Ervin Skela kanë shënuar nga 10 gola, por Skela është ende në aktivitet dhe i ka të gjitha mundësitë që të kalojë të paktën Taren e Kushtën. Bogdani, golashënuesi më i mirë shqiptar në eliminatoret e botërorëve (5 gola) ndodhet në kuotën e 9 golave, ndërsa Edmond Kapllani, golashënuesi më i mirë shqiptar në eliminatoret e europianeve (5 gola), ka realizuar deri tani 6 gola (aq sa Loro Boriçi).
28 Mars 2009