Bisedimet Kosovë-Serbi nisin në 8 mars në Bruksel

Bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Begradit duket se do të nisin në 8 mars. Lajmin e ka bërë publik ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi, i cili bëri me dije se takimi mes dy delegacioneve shqiptare dhe serbe do të zhvillohet në Bruksel.
Sipas ministrit Rexhepi në takim do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ka qenë vetë Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fule që para pak muajsh dorëzoi në Beograd axhendën e propozuar nga BE për bisedime me Kosovën.
Axhenda e bisedimeve përmban vetëm çështje praktike, dhe aspak diskutime për statusin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Axhenda e propozuar nga BE përmban bisedime mbi mbrojtjen kufitare, doganat, tregtinë, ekonominë, transportin, telekomunikimin, trashëgiminë kulturore dhe fetare si dhe për luftën kundër krimit të organizuar.
Ndërkohë dje qeveria e Kosovës miratoi axhendën e bisedimeve me Serbinë, ku sipas saj do të bisedohet vetëm për çështje praktike.
Qeveria Thaçi paralajmëroi se në rast se pala serbe do të tentojë të dalë jashtë axhendës, atëherë pala kosovare do të bojkotojë bisedimet.