Bisedimet Kosovë-Serbi, sot dhe nesër raundi i radhës

Sot dhe nesër në Bruksel do të zhvillohet raundi i radhës së bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Prishtina ka hedhur poshtë kërkesat e Beogradit për hapjen e diskutimeve për statusin e vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri, duke nënvizuar se në këtë raund do të bisedohen çështjet e telekomunikacionit, energjisë dhe bashkëpunimit rajonal.
Ndërkohë sipas mediave kosovare zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, vështirë se mund të tejkalohen në diskutimet e radhës.
Më herët Qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësimet zyrtare për mos zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundin e kaluar e sidomos për shkeljen e marrëveshjes për tregtinë e lirë nga ana e Serbisë, në një kohë kur Qeveria e Kosovës po e zbaton këtë marrëveshje që nga 16 shtatori.