Maqedoni, SHBA: Nuk ka zgjidhje të shpejtë të emrit

Ambasadori i ri amerikan në Maqedoni, Paul Wohlers ka deklaruar se nuk ekziston zgjidhje e shpejtë për çështjen e emrit. Sipas tij, për zgjidhjen duhet të punohet më tej. I pyetur se a do të ndihmojë fjalimi i kryeministrit Gruevski në Kombet e Bashkuara, për zgjidhjen e shpejtë të çështjes së emrit, Wohlers tha se nuk duhet pritur zgjidhje e shpejtë.
“Zgjidhje të shpejtë? Siç kam thënë më herët, për momentin nuk besoj se zgjidhja do të jetë e shpejtë, por mendoj se është çështje që duhet të punohet. Ai e paraqiti qëndrimin e tij. Ajo që ka të bëjë me çështjen e emrit, nuk bëhet nëpërmjet deklaratave publike, por bëhet në situata më private”, është shprehur ambasadori amerikan.
Ndër të tjera ai ka theksaur se ndonjëherë dallimi mes deklaratave publike dhe private, pavarësisht se për çfarë bëhet fjalë është në faktin se zakonisht nuk bëhen publikisht. Ai thekson se SHBA do të vijojë të punojë për këtë çështje dhe shpreson të ndihmojë. “Do të vazhdojmë të punojmë në atë drejtim, ta këshillojmë qeverinë lidhur me çështjen e emrit”, vijon ambasadori.