E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Pas tryezës së Presidentit, PS në Kuvend

Pandeli Majko, anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, shprehet optimist për rikthimin e PS-së në Kuvend fill pas tryezës që pritet të mbahet nga Presidenti Topi. Ai ndodhet në Uashington për të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve, të organizuar nga Kongresi amerikan dhe foli për “Zërin e Amerikës” ku pranoi se dhe për çështjen e hapjes së kutive do të jepet zgjidhje në negociata. Duke folur për mundësinë e një tryezë PD-PS, Majko tha: “Nga informacionet më të fundit është e qartë se ka filluar një negociatë, e cila ka futur faktorin ndërkombëtar si ndërmjetës. Negociatat kanë filluar, por bëhen në distancë nga faktori ndërkombëtar”. Por Majko sheh si zgjidhje të ngërçit vetëm një marrëveshje politike dhe jo një komision hetimor për zgjedhjet, duke e cilësuar të tejkaluar këtë hap. “Propozimi për të pasur një komision hetimor me shumicë opozitën është një propozim i vjetër dhe që nuk ka të bëjë me thelbin e problemit. Thelbi i problemit është e drejta hetimore për të bërë transparencën e zgjedhjeve nga Parlamenti shqiptar dhe që në asnjë rast nuk ka të bëjë me shkeljen e ndonjë vendimi gjykate”, - tha ai. I pyetur nëse PS do të jetë në Kuvend për të qenë pjesë e komisionit hetimor ai tha: “Sapo do të jemi të ulur në tryezën që do të diskutojë në mënyrë thelbësore krizën politike në Shqipëri dhe të merren vendimet përkatëse, ju siguroj që brenda 24 orësh, për këtë jam i bindur, grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të jetë në Parlament”. Por Majko theksoi se PS nuk mund të heqë më dorë nga hapja e kutive dhe se ajo është e bindur se nuk bie në kundërshtim me asnjë vendim gjykate. “Kauza e transparencës së kutive të votimit, edhe po të dojë PS ta braktisë, ajo tanimë ekziston dhe nuk mund të përballohet me mekanizma të natyrave të ndryshme”. Por ai pranoi se problemet që mund të dalin, po të hapen kutitë, nuk janë të sotshme, por të kahershme dhe atëherë kur ka fituar partia e tij zgjedhjet. “Historia e hapjes së kutive në thelb ka të bëjë me atë që ka ndodhur edhe kur ka fituar PS, edhe kur ka fituar PD. Duhet të marrin fund komisionet që ndahen si copa byreku midis PD-së dhe PS-së, duhet të marrë fund historia e ndërrimit të komisionerëve 24 orë përpara ditës së votimit se mos na i blen kundërshtari”, - tha ai dje për “Zërin e Amerikës”. Ndërsa ka qenë më i rezervuar se kryesocialisti Rama për kolegët e tij të LMN-së, duke u mjaftuar vetëm me frazën se “ky është një debat i brendshëm partiak, që në mënyrë esenciale nuk ka të bëjë me raportet e PS-së me krizën politike. Mendoj që edhe kolegët që kanë shprehur mendime të kundërta me ato të shumicës në vendimmarrjen e PS-së, në thelb nuk kanë prekur atë që konsiston raporti dhe balanca e PS-së me krizën”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›