Bisedimet dëmtuan Kosovën

Data 8 mars ka shënuar një vit prej se kanë filluar bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit deri më tash është arritur pajtim për disa marrëveshje, por zbatimi i tyre në praktikë po hasë vështirësi. Ndërsa marrëveshja e fundit për përfaqësim rajonal ka shpërblyer të dyja vendet, Serbinë me marrjen e statusit të kandidatit për BE, ndërsa Kosovën me studimin e fizibilitetit.
Por edhe pse opozita kritikon, partitë të cilat janë në pushtet vlerësojnë si pozitive këto bisedime. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se gjatë këtij viti janë bërë disa hapa pozitivë drejt çuarjes përpara të procesit të vendit.
Megjithatë, ai ka thënë se nuk mund të thuhet se është arritur e gjithë ajo që duhet të arrihet, sepse, siç ka thënë ai, veriu i vendit ende mbetet si sfidë.
Ndërsa për mungesën e transparencës së këtyre bisedimeve që janë zhvilluar, Grabovci mbron Qeverinë duke thënë se gjithnjë ka dhënë sqarime në kuvend.
“Kanë raportuar dhe kanë dhënë sqarimet e nevojshme. Unë besoj se edhe tash gatishmëria e qeverisë dhe institucioneve tona është që të raportoj dhe të jap informacionet e nevojshme mbi rrjedhat e bisedimeve me Serbinë. Por ne duhet të kemi parasysh edhe rezolutën e parlamentit të Kosovës që me atë rezolutë janë përcaktuar shumë drejt dhe shumë qartë më tepër kemi thënë se janë përcaktuar vijat e kuqe jashtë të cilave nuk guxon të bisedohet me Serbinë dhe me askënd”, ka theksuar Grabovci.
Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se edhe kuvendi edhe qytetarët janë fare pak të informuar me zhvillimin e këtyre bisedimeve.
“Ne si kuvend i Republikës së Kosovës, si organi më i lartë ligjvënës në këtë vend, në këtë shtet parlamentar, si dhe qytetarët jemi fare pak të informuar se çfarë po ndodhë, përpos atyre që i shohim në mjetet e informimit, atyre buzëqeshjesh dhe shtrëngim duarsh të qeveritarëve tanë me zyrtarët serb edhe pastaj vijmë në situatë të publikojmë. Por edhe marrëveshja që doli së pari u publiku në mediat serbe dhe aq larg jemi transparencës, asaj që sa po ndodh”, ka deklaruar Beqiri.
Ai ka shtuar se këto bisedime kanë filluar mbrapsht, pa agjendë, pa ndonjë cak ose pa dobi për Kosovën, por vetëm për Serbinë.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se deri më tash këto bisedime kanë vazhduar vetëm të dëmtojnë Kosovën.
“Në tërë këtë proces gradualisht është duke u çmontuar Republika e Kosovës dhe është duke u shndërruar Kosova në një lloj territori, statusit i cili nuk dihet tani është i padefinuar dhe kjo përfundimisht është mbuluar më marrëveshjen e fundit me pranimin e rezolutës 1244 me të cilën rezolutë statusi i Kosovës konsiderohet si i padefinuar, ndërkohë që ai në pronësinë e tij është një lloj autonomie substanciale brenda Serbisë”, ka thënë Ymeri.
Për më tepër, ai ka thënë se transparenca e institucioneve ka munguar për këto bisedime që janë zhvilluar. Sipas tij, edhe marrëveshja e fundit që është arritur, që ka një javë e më shumë, nuk është bërë publike.
Kritika adreson edhe Ahmet Isufi nga radhët e AAK-së, i cili thotë se nga këto bisedime është përmirësuar imazhi i Serbisë e është dëmtuar ai i Kosovës.
“Ashtu siç janë nisur këto bisedime, ashtu edhe po vazhdojnë me përfundime jologjike. Prandaj reagimi i jonë i pari ka qenë bisedime të papërgatitura mirë, pa platformë, pa agjendë, pa afate të caktuara dhe me një shtet i cili nuk dinë të respektoj marrëveshje. Prandaj kemi konfuzitet në vlerësime dhe këto marrëveshje e kanë dëmtuar më shumë imazhin e Kosovës se sa që kanë lehtësuar në marrëdhëniet në Kosovë-Serbi”, ka deklaruar Isufi.
Ndryshe, në bazë të rezolutës që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës në janar të këtij viti, çdo tre muaj kryenegociatorja, Edita Tahiri duhet t’i raportoj kuvendit, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. /Kosovapress/