Qeveria na diskriminon, se jemi të majtë
Gjendja e keqe ekonomike është bërë shkak i një proteste të zhvilluar paraditen e djeshme nga Bashkia e Pukës dhe qytetarë të këtij qyteti. Protesta është zhvilluar përpara Bashkisë së Pukës dhe ka pasur për iniciatorë drejtuesit vendorë të Bashkisë Pukë, të cilët janë shprehur se për shkak të mungesës së fondeve nga qeveria, e kanë të pamundur të japin shërbimin e duhur ndaj qytetarëve. “Qeveria e ka diskriminuar Pukën. Që nga viti 2006 është miratuar vetëm një projekt, ndërkohë që nëntë projekte kanë mbetur pa përgjigje. Në vend që të zhvillohet turizmi malor, pasi Puka e ka këtë mundësi, në afërsi të qytetit po demontohen municionet e gjithë veriut të Shqipërisë”, ka thënë kreu i Bashkisë Pukë, Rustem Struga. Më tej ai ka shtuar se qeveria po krijon një situatë qesharake për sa u përket fondeve që po jep për Pukën. “Nga 160 milionë lekë që duhen për të ndërtuar ujësjellësin e ri, ne na janë dhënë vetëm 500 mijë lekë. Me këtë ritëm do duhen të paktën 320 vite që të përfundojë vepra”, ka thënë Struga. Ndërsa deputeti socialist, Namik Dokle, e ka krahasuar situatën ekonomike të qytetit të Pukës dhe Shqipërisë me ato në kohët e Migjenit. “Ndërsa Migjeni i madh këtu në Pukë krijoi legjendën e misrit, Sali Berisha ka krijuar legjendën e preshit. Para se të vija këtu një rapsod i zonës suaj më tha: të lutem transmetoja këto vargje bashkëqytetarëve të mi “E një zë dëgjohet në Pukë, nuk kemi punë e nuk kemi bukë, nuk kemi shtet e nuk kemi ligj, po bën Sala si Maliq”. E kjo është më se e vërtetë, pasi qeveria mendon për vete e familjet e ministrave nuk mendon për familjet e shqiptarëve, për çmimet që rriten, për papunësinë, varfërinë që ka mbuluar vendin, sepse nuk zbatohet ligji, por zbatohet ligji i Salës, nuk zbatohet Kushtetuta, por zbatohet kushtetuta e qeverisë. Sot Bashkia e Pukës dhe disa komuna të tjera janë të diskriminuara për motive politike, pasi kanë votuar për të majtën. Sot administrata e Pukës ende nuk ka marrë rrogat, për shkak të buxhetit të ulët që i ka akorduar qeveria”. Protestuesit me pankartat në duar ku shkruhej: “Mos diskriminoni bashkitë dhe komunat socialiste”, “Puka qyteti më i varfër në veri të Shqipërisë”, “Qeveria nuk mbajti premtimet”, kanë përcjellë mesazhin në drejtim të qeverisë për një vëmendje më të madhe ndaj qytetit të Pukës.
#