E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedimet me Serbine Kuci eshtja e doganave e mbyllur

Qeveria e Kosovës hodhi poshtë mundësinë e diskutimit për pikat doganore në Bruksel, në raundin e ardhshëm të bisedimeve, të martën dhe të mërkurën. Çështja është iniciuar nga shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviq, i cili ka thënë se për këto tema do të flitet vetëm me Brukselin, por jo edhe me delegacionin e Prishtinës. Por për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, temat tanimë janë të përcaktuara.

“Temat të cilat do të diskutohen  ne bisedime me palën serbe tashmë janë të përcaktuara, poashtu janë të përcaktuar edhe temat të cilat asnjëherë nuk do të mund të diskutohen. Pikat doganore janë çështje që i takojnë sovranitetit dhe organizimit të brendshëm juridiko kushtetues të Kosovës”, tha Kuçi.

Edhe Maja Koçijançiç, zëdhënëse në kabinetin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, i tha Radios Evropa e Lirë se deri më tani në agjendë të bisedimeve janë vetëm energjia, telekomunikacioni dhe bashkëpunimi rajonal. "Nuk mund të spekuloj qysh më herët se çka do të sjellë njëra apo pala tjetër”, tha Koçijançiç.

Shefi i ekipit negociator serb në dialogun me Kosovën, Borko Stefanoviç, është optimist se në dy ditët e ardhshme në Bruksel do të diskutohet çështja e pikave kufitare veriore në Jarinë dhe Bërnjak. Qarkullimi i njerëzve dhe automjeteve nga pjesa jugore në atë veriore është bllokuar nga të paktën gjashtë barrikada të vendosura nga serbët në shenjë proteste. Stefanoviç thotë se për këtë çështje nuk do të diskutohet fare me Prishtinën.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›