Bisedimet, nis ndryshimi i qeverisë
ADI SHKEMBI
Kabineti qeveritar pritet të përfshihet nga ndryshimet në disa prej dikastereve, pas rikthimit të republikanëve. Katër zyrtarët e lartë të PR-së, Sabri Godo, Fatmir Mediu, Arjan Madhi dhe Neritan Alibali, u takuan dje për gati 60 minuta me Kryeministrin Berisha në zyrën e këtij të fundit. Burime nga ky takim bëjnë të ditur se pas kërkesës zyrtare të republikanëve për t'u rikthyer në qeveri, Kryeministri Berisha u ka kërkuar që të përcaktojnë ata se cilin prej dikastereve duan të drejtojnë. Por e menjëhershme mësohet të ketë qenë edhe përgjigjja e kryetarit të Asamblesë së republikanëve, Sabri Godo, sipas të cilit, është kryeministri ai që duhet të përcaktojë dikasterin për republikanët. Kushti i vetëm i PR-së mësohet të ketë qenë fakti se ata duan të drejtojnë një dikaster të rëndësishëm. "Ne nuk mund të themi çfarë ministrie duam të drejtojmë, pasi ai është ekskluzivitet i kryeministrit. Ne duam një ministri me peshë, të rëndësishme", i është drejtuar Godo kreut të qeverisë. Por pas këtij qëndrimi të Godos, Kryeministri ka insistuar për të mësuar një emër ministrie që duan të drejtojnë republikanët. Në këtë moment nuk kanë munguar as batutat mes kreut të qeverisë dhe themeluesit të PR-së. "Ne duam postin e kryeministrit", ka deklaruar Godo, ndërsa nga ana tjetër Berisha është përgjigjur "jo, atë post nuk ua jap dot". Burime pranë PR-së bëjnë të ditur se kryetari i grupit parlamentar, Arjan Madhi, është njëri prej kandidatëve të mundshëm për ministër, por gjithçka do të varet nga profili i ministrisë që do të ofrohet.
Mediu
Në përfundim të takimit mes katër zyrtarëve republikanë dhe kreut të qeverisë, Mediu është shprehur për mediat se e vetmja gjë e sigurt në këto negociata është fakti se ai vetë nuk do të rikthehet në postin e ministrit. "Partia Republikane ka autoritete qoftë politike, qoftë intelektuale, të cilat do ta përfaqësojnë atë denjësisht në qeveri në realizimin e të gjitha qëllimeve që kemi përcaktuar në koalicion, që nga fillimi i kësaj qeverisjeje. Një gjë është e sigurt, që unë s'do jem pjesë e qeverisë. PR-ja do të jetë në qeveri brenda këtij sesioni parlamentar. Jemi në fillim të një procesi dhe besoj se do të ketë një diskutim intensiv dhe besoj se brenda këtij sesioni parlamentar do të mbyllet i gjithë procesi", theksoi Mediu. Sipas tij, përmes një mirëkuptimi ndërmjet Kryeministrit Berisha dhe Partisë Republikane, kjo forcë politike, e cila ka 12 deputetë në Parlament, do të marrë pjesë në qeveri në një dikaster të rëndësishëm, por pa e përcaktuar konkretisht se cili do të jetë posti që do të drejtojë. Republikanët, aleatët kryesorë të Partisë Demokratike gjatë zgjedhjeve të tre korrikut, drejtuan për gati dy vjet Ministrinë e Mbrojtjes deri në momentin e shpërthimit tragjik të Gërdecit, ku mbetën 26 të vrarë dhe rreth 300 të plagosur.
Ultimatumi i republikanëve
Hapin e fundit për rikthimin e Partisë Republikane në qeveri e hodhi fundjavën e kaluar kryetari i Asamblesë së PR-së, Sabri Godo, i cili në një prononcim për mediat deklaroi se brenda 10 ditësh PR-ja do të përfshihet në qeveri. Takimi kaq i shpejtë mes PR-së dhe Kryeministrit Berisha bëhet edhe për faktin se kreu i qeverisë do të jetë për disa ditë në Paris me ftesë të Presidentit francez, Nikola Sarkozi.
Tërheqja e PR-së për Gërdecin
Megjithëse deklaruan se nuk do të përfshihen në qeveri deri në momentin e zbardhjes së plotë të tragjedisë së Gërdecit, republikanët tashmë janë tërhequr nga kjo deklaratë. Fillimisht ishte kreu i grupit Arjan Madhi, i cili deklaroi se PR-ja duhet të rikthehet në qeveri dhe më pas Sabri Godo, i cili i vuri edhe ultimatum kreut të qeverisë për marrjen e një posti të rëndësishëm nga ana e PR-së.