E Diel, 1 Nëntor 2026

Sukses në Bruksel: 1,2 miliardë euro për Kosovën

Konferenca e Brukselit ishte një sukses i madh për mbledhjen e fondeve nga donatorët ndërkombëtarë për Kosovën, duke dhënë premtimin për 1,2 miliardë euro për shtetin më të ri të Evropës. 

 Bashkimi Evropian njoftoi se do të dhurojë rreth 500 milionë euro për tri vitet e ardhshme. Komisioneri për Zgjerim, Olli Rehn, tha se zotimi i BE-së shënon përkushtimin për Kosovën, të cilën e cilësoi si një çështje thelbësisht evropiane. "Jam krenar se duke premtuar 500 milionë euro, që në fakt është gjysmë miliardi, Bashkimi Evropian demonstron qëndrimin se Kosova është çështje evropiane, thellësisht evropiane. Ky qëndrim nuk është një formulë diplomatike, por provë reale e angazhimit tonë në Kosovë", tha Rehn duke shtuar se kontribuesit për Kosovën do t'i drejtojnë vetë donacionet për t'u siguruar për shpenzimin e tyre, por edhe qeveria kosovare do të jetë përgjegjëse për një pjesë të donacioneve. Shuma përfshin 350 milionë euro në fondet para-anëtarësimit që janë parashikuar për periudhën 2008-2011, plus 150 milionë euro do të jepen për asistencë makro-ekonomike.
Departamenti amerikan i Shtetit premtoi pak ditë më parë, dhe konfirmoi në konferencë se do të ofrojë për Kosovën 400 milionë dollarë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në fjalimin e tij në Bruksel gjatë hapes së kësaj konference se qeveria e Kosovës do të ndjekë politikën e zero tolerancës ndaj dukurive si korrupsioni dhe keqpërdorimi i këtyre mjeteve, ndërsa nuk do të bëjë dallime në përkatësinë etnike për të realizuar projekte në të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb. "Konferenca e Donatorëve paraqet fillimin e një faze të zhvillimit për Kosovën. Ne do të punojmë me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe me NATO-n, për ta fituar ardhmërinë për Kosovën", theksoi Thaçi duke kujtuar aplikimin e Kosovës një ditë para konferencës për t'u bërë pjesë e FMN. Donatorët më të mëdhenj për Kosovën ishin BE me 500 milionë euro, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 400 milionë dollarë, Gjermania me 100 milionë euro, Norvegjia dhe Britania e Madhe me nga 30 milionë euro, Luksemburgu me 15 milionë etj. Autoritetet e Kosovës kanë shpresuar që për projektet e zhvillimit afatmesëm të ndahen 1.4 miliardë euro. "Ky është një nga shanset më të rëndësishme për Kosovën", ka deklaruar ministri kosovar i financave, Ahmet Shala për AFP. Sipas ekspertëve, edhe nëse në konferencë do të mblidheshin 1.5 miliardë euro, është e pamundur që të mbushen me shpejtësi gropat e thella në sektorët e ndryshëm të vendit. Shpresohet se donacionet do ta ndihmojnë përmirësimin e infrastrukturës, që do ta lidhë Kosovën me pjesën tjetër të rajonit, pastaj për hapjen e vendeve të reja të punës, duke e zbutur papunësinë e madhe që mbretëron në Kosovë dhe për të përmirësuar kushtet në arsim. Një pjesë e ndihmave thuhet se do të dedikohet edhe për vendbanimet me shumicë serbe, me qëllim të integrimit të tyre në shoqërinë kosovare, ndërsa një pjesë do të përdoret për shlyerjen e borxhit të jashtëm të Kosovës nga koha kur ishte pjesë e ish-Federatës Jugosllave. Takimi i donatorëve është i dyti pas atij të vitit 1999.

Bush do takojë Sejdiun e Thaçin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush do të takojë këtë muaj liderët e Kosovës, Presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Takimi është vendosur në axhendën e Presidentit amerikan për më 21 korrik 2008. Kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, si udhëheqës të Kosovës së pavarur. Sipas Shtëpisë së Bardhë, kjo vizitë është një mundësi më shumë për Presidentin Bush që të diskutojë me Presidentin Sejdiu dhe Kryeministrin Thaçi mbështetjen e tij të fortë për përpjekjet e qeverisë së Kosovës në ndërtimin e një shteti demokratik, të përparuar dhe shumë etnik me institucione që u shërbejnë të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Donatorët e mëdhenj

     BE        500 milionë euro

    SHBA         400 milionë $

    Gjermani     100 milionë euro

    Britani     30 milionë euro

    Norvegji     30 milionë euro

Luksemburg 15 milionë euro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›