E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç mbledh Këshillin e Sigurimit për Mitrovicën



Incidenti i së premtes në Mitrovicë po shfrytëzohet politikisht nga autoritetet serbe.

Presidenti serb, Boris Tadiç ka ndryshuar axhendën e tij zyrtare duke anuluar një udhëtim në Malin e Zi për të kërkuar një takim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili pritet të mblidhet të martën për situatën në Mitrovicë. Ngjarja po ndodh pak ditë pasi në agjencitë e lajmeve doli lajmi se autoritet në Beograd po diskutojnë për një mundësi shkëmbimi territoresh mes veriut të Kosovës dhe Preshevës, të cilën zyrtarët në Kosovë e kanë refuzuar. Tadiç një ditë më parë e quajti provokim incidentin. Por, sipas Ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, incidenti mund të jetë shkaktuar pa dashje edhe nga një prej protestuesve serbë, i cili mund të ketë qenë i armatosur. Por mund të ketë qenë edhe i qëllimshëm për motive politike. Gjithsesi ngjarja po hetohet nga organet kompetente. Liderët kosovarë bënë thirrje për përmbajtje nga provokimet dhe tërheqja nga dhuna për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë. Një person ka humbur jetën dhe 11 janë plagosur nga shpërthimi në veri të Mitrovicës, kur rreth një mijë serbë po protestonin kundër hapjes së Zyrës për Regjistrim Civil në Lagjen e Boshnjakëve. Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanier, ka reaguar pas sulmit me bombë në Mitrovicë. Duke i shprehur ngushëllime familjes së mjekut të vrarë, Mehsud Xhekoviç, Zanier bëri thirrje për “të gjitha palët për përmbajtje nga provokimet”. Edhe komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, dhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, e kanë dënuar incidentin e së premtes në veri të Mitrovicës. Ata kanë shprehur keqardhje për viktimat dhe kanë inkurajuar institucionet përkatëse të zbulojnë shpejt aktorët e krimit. Në funeralin e mjekut dje në varrezat myslimane në pjesën veriore të Mitrovicës, ishin familjarët e tij, miqtë, kolegët, boshnjakë, serbë, shqiptarë e të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›