SHBA, disa nga “spiunët” pranojnë kombësinë ruse e identitetin e vërtetë
Dy prej 10 spiunëve të akuzuar rusë në Shtetet e Bashkuara, kanë pranuar se janë shtetas rusë dhe kanë pohuar emrat e tyre të vërtetë. Michael Zottoli dhe Patricia Mills, çift bashkëshortor me dy fëmijë thanë se emrat e vërtetë janë Mikhail Kutzik dhe Natalia Pereverzeva. Këta të dy, së bashku me të akuzuarin tjetër për spiunim, Mikhail Semenko, pranuan të vërtetën gjatë paraqitjes në një gjykatë në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara. Arrestimi i personave të dyshuar si spiunë rusë nga autoritetet federale amerikane erdhi pas më se dhjetë vitesh monitorimi, sipas “The Washington Post”. Dokumentet e gjykatës dhe regjistrimet treguan se hetuesit federalë kishin kërkuar më parë në shtëpitë e disa prej të dyshuarve, kishin vendosur pajisje përgjimi dhe kishin monitoruar komunikimet dhe takimet e tyre që nga mesi i vitit 2006. Për shembull federalët e dinin se në qershor 2006, të dyshuarit Michael Zottoli dhe Patricia Mills udhëtuan në Vurtsboro, N.Y., ku Zottoli gërmoi në tokë dhe nxori një pako me para e cila ishte groposur atje dy vite më parë nga një tjetër konspirator, sipas AP. Me gjithë provat e mbledhura, FBI priti deri të dielën në mbrëmje për arrestimet që të mblidhte informacione të tjera për persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet. Informacioni i kundërspiunazhit përfshinte mesazhe të dekoduara dhe emra të korrierëve rusë, rekrutë amerikanë dhe taktika ruse të spiunazhit, shkruan “The Post”.