E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurte lajme nga bota



Kongo, kamioni i naftës në flakë, vdesin 230 persona

Të paktën 230 persona kanë humbur jetën dhe 190 janë plagosur kur një kamion nafte doli nga rruga dhe shpërtheu në Republikën Demokratike të Kongos. Kamioni po përpiqej që të parakalonte një autobus në provincën Sange, në kufirin lindor të vendit. Kur kamioni doli nga rruga u kthye dhe nafta nisi të derdhej. Banorët kishin nxituar për të marrë naftë. Sipas CNN, bazuar në raportet zyrtare për ngjarjen, njëri prej tyre ishte me cigare ndezur dhe kjo shkaktoi tragjedinë. Grupi më i madh i viktimave kishte qenë në një lokal të afërt ku banorët ishin mbledhur për të parë ndeshjet. Shumë prej viktimave ishin fëmijë që po luanin aty rrotull. Shoferi arriti t’u shpëtojë flakëve.

Klinton: Mbrojtja raketore nuk është kundër Rusisë

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, tha dje se mbrojtja e planifikuar raketore e Shteteve të Bashkuara në Evropë, është “thjesht sistem mbrojtës” dhe “nuk është i drejtuar kundër Rusisë”. Komentet e saj u bënë dje në Krakov të Polonisë, ndërsa nënshkruhej një amendament për marrëveshjen ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Polonisë për mburojën raketore. Në ceremoninë e nënshkrimit ishte edhe Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslav Sikorski. Marrëveshja merr në konsideratë ndryshimet e bëra nga presidenti amerikan, Barak Obama për sistem me rreze të gjatë veprimi. Plani Obama parasheh sistem me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, për të kundërshtuar programin raketor balistik të Iranit..

SHBA, në 2011 mbërrin makina fluturuese, 194 mijë dollarë

Në Shtetet e Bashkuara, dëshira për të fluturuar e për të kapërcyer trafikun po kthehet në realitet. Në vitin e ardhshëm ekzemplarët e parë të “Transition”, gjysmë avion e gjysmë makinë, do të dalin në shitje me çmimin 194 mijë dollarë. “Terrafugia” është marka e cila po merret me realizmin e këtij modeli dhe ka premtuar shpërndarjen që në vitin 2011, menjëherë pasi të marrë aprovimin nga siguria federale. “Transition” është një aeroplan në gjendje të ecë në rrugë, krahët bëjnë të mundur që brenda një minute ai të ngrihet në ajër. E megjithatë për uljen në tokë ka nevojë për një pistë. Përveç patentës së makinës, që të përdorësh këtë mjet duhet edhe një patentë për mjete të lehta ajrore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›