E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bizhuteritë, të ngarkuara dhe shumëngjyrëshe

20/05/2005  Bixhuteritë nuk mund të mos ishin një pjesë e rëndësishme e veshjeve të femrave, edhe këtë sezon. Të gjithë aksesorët duhet të dominojnë veshjet, të jenë të dukshme, të ngarkuara, shumëngjyrëshe dhe tendencat etnike.

Ato këtë sezon janë më të rëndësishme se kurrë më parë. Nuk duhet të dilni nga shtëpia pa vënë një bizhuteri, qoftë varëse, unazë, vathë, apo byzylyk.

Tendenca e fundit e aksesorëve është një: të lirshme për të vënë çdo gjë që preferoni, që mendoni se ju shkon me veshjen, ekstravagante. Bizhuteri të ngarkuara dhe shumëngjyrëshe, varëse të gjata dhe etnike, vathë të mëdhenj, unaza të rënda, stilet cigane apo indiane. Shumë herë mund të jenë të ngatërruara, me shumë rruaza. Herë-herë një stil bohem.

Ajo që të gjithë stilistët theksojnë, është se elementi kyç i këtij sezoni do të jenë aksesorët. Këtë verë nuk do të jetë çudi nëse do të shohim një femër që mban shumë aksesorë të ngarkuar me rruaza, lule dhe ngjyra të ndezura. E veçanta e këtij sezoni, që shkon krahas bixhuterive, do të jetë rikthimi i çizmeve i viteve ‘50-‘60, unisekse, me tokëz të madhe dhe shapkat me një gisht. Ndërsa përsa i përket materialeve, do të dominojë linoja, por kjo e stilizuar dhe e ngarkura me qëndisma, si dhe copat me kuadrate të vogla.

Një divë me pushime, ky është imazhi i sjellë nga John Galliano i shtëpisë së modës “Dior”. Këtë herë stili i sugjeruar nga Dior mbetet ai që sjell imazhin e një ylli kinemaje. Moda e ardhshme nuk do të kalojë pa u vënë re me gjithë këtë arsenal aksesorësh që propozon Dior, që mbetet gjithnjë në krye të stilit të ngritur, pra përtej të zakonshmes.

"Mendojmë që vetëm në këtë mënyrë të heqim dorë nga veshjet e rëndomta që shohim përditë. Të rinjtë janë të prirur të vishen me rroba që nuk tregojnë asgjë, ndërsa stili që sugjerojmë ne është krejt ndryshe dhe kjo lidhet me përmirësimin e imazhit të njeriut", thekson Gallino. Ndërkohë, Dolce&Gabbana do të prezantojnë në Londër një risi në fushën e modës. Ndërsa një prej ikonave të modës si Chloe' Sevigny, e shndërruar në vitet 1960 në simbol të kësaj fushe do të rikthehet me produkte luksi si perla apo diamante.

"Ka vite që produkte të tilla nuk dalin në treg dhe ne premtojmë t’i rikthejmë ato më të shndritshme se kurrë. Mos harrojmë se diamantet dhe perla nuk vdesin kurrë, ato janë produkte që mbeten gjithnjë të kërkuara", deklarojnë stilistët.

Argëtuese dhe ekstravagante

Ashtu si koleksionet argëtuese dhe ekstravagante të veshjeve të këtij sezoni, edhe bizhuteritë nuk mund të dilnin jashtë kësaj linje, madje janë një plotësues i jashtëzakonshëm i këtyre tendencave të reja. Këtë sezon stilistët propozojnë veshje prêt-à-porter dhe aksesorët të këndshëm, argëtues, objekte që kanë shumë herë format e vogla dhe delikate të luleve. Sigurisht që në të gjitha ngjyrat e natyrës.

Kjo është tendenca e këtij sezoni, tërheqëse dhe shumë e preferuar, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për gratë në moshë, që zakonisht nuk janë mësuar të mbajnë bizhuteri shumëngjyrëshe dhe argëtuese.

Lule, sfera, apo fytyra të vogla kristal Swarovski, që qëndrojnë shumë mirë si me metalet e çmuar si flori apo platin, por edhe me rruaza apo bizhuteri plastike. Format e luleve risjellin edhe një herë modën e viteve '60. Por këtë verë lejohet të përdoret gjithçka, forma dhe ngjyra të ndryshme, e rëndësishme është tendenca etnike që ato kanë. Gjithnjë edhe më shumë në qendër të krijimeve të reja janë modelet cigane apo indiane të bizhuterive, shumë herë të realizuara me smalt të çmuar, kristal apo perla shumëngjyrëshe. Duket se në këtë sezon nuk duhet të mungojnë koleksionet e bizhuterive nga më të çmendurat dhe fantastike.

Kjo është një tendencë shumë argëtuese, që ka në bazë të saj një rregull të veçantë, bizhuteritë të përdoren sipas tipit të çdo personi, të veshjes dhe kohës. Për të pasur një look sa më të freskët, të ri dhe tërheqës, asnjëherë kur dilni nga shtëpia mos harroni të vini gurët e çmuar, vathët e rëndë, apo varëset me nuanca të çuditshme. Mos u tërhiqni nga ideja e çmendur që mund t’ju lindë, nga vënia e bizhuterive, pasi kështu do të dukeni gjithmonë tërheqëse dhe e bukur.

Gurët e çmuar me çdo veshje

Të blesh një bizhuteri me gurë të çmuar është shumë e vështirë, pasi çmimet e shtrenjta nuk na i lejon xhepi? Por, edhe kjo e ka një zgjidhje, nëse duam që të kemi në kutinë e bizhuterive varëse, vathë apo unaza me gurë të çmuar.

Nëse deri pak kohë më parë blerja e tyre ishte një ëndërr tashmë, falë teknologjive të reja, tendencave të fundit dhe dizenjimi të tyre, është e mundur të krijohen bizhuteritë, që, megjithëse jo diamant, smerald apo perlë, të kenë të njëjtën pamje si ato.

Me këtë ide të re është e mundur të transformohet një bizhu për mbrëmje në një aksesor për ditën apo për një veshje sportive. Sigurisht që modelet e tyre janë shumë tërheqës dhe plotësojnë kërkesat e të gjitha femrave, si për vajzat e reja, ashtu edhe për gratë në moshë. Me një stil të veçantë, kryesisht në ngjyrat tradicionale të një guri të çmuar, si i kuq, blu, i kaltërt, jeshil, i bardhë apo i zi,

ato mund të jenë shumë moderne dhe trendi në të njëjtën kohë. Të gjitha femrat që nuk mund të heqin dorë nga bizhuteritë dhe në të njëjtën kohë duan të jenë tërheqëse, dizenjimet e reja të tyre janë joshëse dhe që përshtaten me çdo lloj veshjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›