E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grant: Çelsi, ende nuk është "i madh"

Avram Grant nuk e cilëson Çelsin si një klub "të madh", por ai ka këmbëngulur se nëse skuadra arrin të kualifikohet në finalen e Ligës së Kampioneve, atëherë klubi do të bëhet pjesë e gjigantëve të futbollit evropian. Pas shortit të hedhur në Nion, blutë e Londrës do të përballen në çerekfinale me Fenerbaçe, një sfidë ku nisen si favoritë të padiskutueshëm. Nëse skuadra e Grant do të kalojë pengesën turke, ata do të luajnë në gjysmëfinale me fituesin e çiftit Arsenal-Liverpul. Finalja e këtij edicioni të Champions-it do të zhvillohet në Moskë, por Grant ka këmbëngulur se skuadra nuk është nën presion për ta fituar me patjetër trofeun thjesht për shkak të vendndodhjes. Stadiumi "Luzhniki" mund të ishte vendi perfekt për triumfin e pronarit të klubit, Roman Abramoviç, por ky fakt nuk e shqetëson teknikun izraelit. "Te Çelsi, Roman Abramoviç e mendon njësoj si ne. Pak rëndësi ka nëse finalja luhet në Moskë apo në ndonjë vend tjetër, ne kërkojmë që të jemi aty", tha Grant për tabloidin "The Sun". "Për të qenë një klub i madh në Evropë duhet një arritje e veçantë. Nuk përfshihesh mes klubeve më të rëndësishme nëse nuk arrin në finalen e Ligës së Kampioneve. Edhe Arsenali, një skuadër që ka fituar shumë tituj, nuk është cilësuar e tillë deri përpara dy vjetëve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›