Nis strategjia pesëvjeçare për deportimin emigrantët e kthyer
TIRANË - Integrimi i shtetasve shqiptarë që kthehen në atdhe është fokusi i Strategjisë Kombëtare pesë-vjeçare “Riintegrimi i shtetasve shqiptare të kthyer në vend”. Zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka, në një prononcim për median sqaron se Strategjia ka në fokus të saj shtetasit shqiptarë të kthyer në kuadër të Marrëveshjes së Ripranimit KE-Shqipëri dhe marrëveshjeve dypalëshe të ripranimit që Shqipëria ka nënshkruar me vende të tjera, ose përmes formave të tjera të kthimit të detyruar dhe vullnetar. Duke u ndalur në përmbajtjen e këtij dokumenti, Sulka vuri në dukje se “politika që po ndiqet për shqiptarët e rikthyer ka qëllim sigurimin e një kthimi të qëndrueshëm për ta, përmes lehtësimit të procesit të riintegrimit, duke synuar minimizimin e kostove të migracionit, maksimizimin e përfitimit dhe nxitjen e kontributit të emigrantëve për zhvillimin ekonomik të vendit”. Mekanizmi i mbështetjes për riintegrim fillon të funksionojë me mbërritjen e të kthyerve në Shqipëri. Shtetasit e kthyer përmes marrëveshjeve të ripranimit apo formave të tjera të kthimit të detyruar i nënshtrohen procedurës së identifikimit dhe intervistimit në Pikën e Kalimit Kufitar nga Policia Kufitare dhe e Migracionit (PKM). Për shtetasit e kthyer vullnetarisht, të cilët jo detyrimisht e deklarojnë këtë fakt gjatë hyrjes në Shqipëri, informacioni mbi Sportelet e Migracionit sigurohet përmes mjeteve masive vizuale të informimit në çdo Pikë të Kalimit Kufitar (PKK) si billboard, postera, etj.
20 Korrik 2010