E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksplozivi për rrugën dëmton banesat

• Shpërthimi i një sasie dinamiti nga firma e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës ka shkaktuar dëme serioze në disa banesa të fshatit Zallë Xhuxhë.

MIRDITE/ ROLAND NIKOLLI

 Sipas banorëve të këtij fshati, shpërthimet me lëndë eksplozive kanë ndodhur rreth mesditës së të mërkurës deri në orët e vona. Mësohet se banesat e dëmtuara ndodheshin pranë segmentit rrugor që kalon në këtë fshat, pjesë e aksit në ndërtim nga firma "Bechtel Enka". Duke iu referuar banorëve të zonës, shpërthimet e kryera nga ana e firmës së ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës në afërsi të segmentit rrugor të komunës Fanë të rrethit Mirditë kanë dëmtuar shtatë banesa. Pas shpërthimit copat e gurëve kanë prekur këto shtëpi, duke dëmtuar çatitë e tyre, muret dhe dritaret, ndërkohë që një re e madhe tymi ka mbuluar gjithë vendin, duke krijuar edhe panik te familjet që jetojnë në to. Mësohet se dëmet kanë qenë vetëm materiale dhe për fat nuk ka pasur lëndime në njerëz. Banorët, të alarmuar dhe të trembur nga ajo që ka ndodhur kanë kërkuar ndihmë te punonjësit e firmës, duke kërkuar edhe ndërprerjen e shpërthimeve. Pasi kanë transmetuar mesazhin e banorëve tek eprorët e tyre, punonjësit e firmës kanë marrë urdhër për të ndërprerë shpërthimet. Sipas banorëve të fshatit Zallë Xhuxhë të Mirditës, kjo situatë është e përsëritur dhe ky është rasti i tretë brenda pak kohëve. "Shtëpitë tona janë dëmtuar edhe herë të tjera, por askush nuk na ka dëmshpërblyer", shprehen ata. Sipas Gjergj Gjokës, një nga të dëmtuarit, "ka qenë ora 13:55, kur punëtorët e firmës kanë filluar të japin sinjalin se do ketë shpërthim dhe ne duhej të futeshim në banesë. Pasi kemi hyrë brenda ka ndodhur një shpërthim shumë i fuqishëm. Menjëherë gurët na kanë rënë në tjegullat e shtëpisë dhe kanë plasaritur tavanin dhe muret e banesës. Ndërsa vendi ishte mbushur tërë pluhur. Kemi dalë nga banesat se thamë se çfarë ndodhi dhe kemi kërkuar të kontaktojmë me përfaqësues të firmës "Bechtel Enka". Menjëherë ata kanë urdhëruar ndërprerjen e shpërthimeve, si edhe kanë ardhur pranë banesave tona për të parë dëmet". Lekë Mena, një banor i zonës shprehet se, "dëmtimet në shtëpinë time janë kudo. Përfaqësuesit e firmës kanë ardhur dhe na kanë thënë se do kryejnë riparimet e shtëpive. Por situata e Gërdecit mund të përsëritej edhe këtu. Eshtë rasti i tretë që ne na ndodh kjo gjë. Asnjëherë firma nuk na është përgjigjur për dëmtimet. Vetëm na ka premtuar".
Ndërsa Kastriot Mena, një tjetër banor i dëmtuar tregon se, shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe thotë se kanë qenë me fat që kanë shpëtuar gjallë. "Kanë ardhur e kanë parë dëmtimet përfaqësuesit e komunës, të cilët kanë marrë përsipër edhe ndjekjen e këtij problemi. Prandaj ne i bëjmë thirrje përfaqësuesve të firmës "Bechtel Enka" që, nëse nuk do kryej riparimin e dëmeve, ne do hidhemi në protesta deri në bllokimin e punimeve. Për këtë problem është në dijeni edhe Policia e Shtetit, pasi përfaqësuesit e saj kanë ardhur këtu dhe kanë parë vetë realitetin", ka pohuar ai për "Panorama"-n.

Familjet
Gjegj Gjoka
Gjon Mena
Lek Mena
Petrit Mena
Gjergj Mëna
Ndue Mena
Kastriot Mena

Dëmtohet rruga, në rrezik udhëtarët
BURREL - Segmenti rrugor poshtë kthesës së Sanës, i njohur për paqëndrueshmërinë e tij, nën ndikimin e ujërave nëntokësore vazhdon të shembet në mënyrë të vazhdueshme. Janë rreth 100 metra gjatësi lineare të trasesë së rrugës, e cila ka pësuar rrudhosje dhe rrëshqitje. Po ashtu kanë shkarë dhe rrëshqitur muret anësorë dhe sasi të konsiderueshme dheu bien mbi sipërfaqen e rrugës. Ky segment është në hyrje të qytetit të Burrelit kur vjen nga Bulqiza e Dibra dhe mbi të qarkullojnë mijëra njerëz, mjete e dhjetëra mijëra ton mallra çdo vit. Sipas informacioneve të marra nga këto institucione, në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve nuk ka projekt për rehabilitimin e saj.         e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›