E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset e reja orientohen që në regjistrim se si t’i përdorin kasat fiskale



Bizneset e reja, që sapo nisin procedurat për t’u regjistruar në QKR, do të kenë mundësinë që të marrin edhe kasën fiskale. Kjo është një procedurë e re, që do të ndiqet nga administrata tatimore në bashkëpunim me QKR-në, me qëllim vënien sa më parë në zbatim të procesit për instalimin e kasave fiskale te subjektet e biznesit. Bashkë me formularët ku udhëzohen për dokumentet që duhet të paraqesin për regjistrimin e subjektit në QKR, subjektet e biznesit do të pajisen edhe me një material udhëzues se si duhet të veprojnë për të marrë menjëherë kasën fiskale dhe se si duhet ta përdorin atë. Kjo është një mënyrë që sipas organeve tatimore, do të përshpejtojë procesin e instalimit të kasave fiskale tek të gjitha subjektet e biznesit, ku si afat përfundimtar është fundi i këtij viti. Të gjitha bizneset e mëdha, që operojnë në rrethin e Tiranës, duhet të pajisen me kasat fiskale brenda muajit maj 2009, në të kundërt do të përballen me penalitetet e parashikuara në ligjin "Për procedurat tatimore". Urdhri është lëshuar së fundi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe u referohet në mënyrë të veçantë bizneseve të mesme dhe të mëdha. Për subjektet private që operojnë në rrethe të tjera, afati i fundit është muaji dhjetor 2009. Lidhur me biznesin e vogël, i gjithë procesi i vendosjes së kasave regjistruese duhet të përfundojë brenda vitit që vjen, 2010. Pas shpalljes së fituesve, Ministria nxori disa udhëzime mbi formën e vendosjes dhe funksionimit të pajisjeve fiskale, të cilat duhet të jenë të lidhura on-line me sistemin tatimor. Sipas Tatimeve, koha është e mjaftueshme, pasi për këtë proces biznesit i është lënë afat 6 muaj. Vendimi prek ato biznese që shesin mallra, prodhime apo kryejnë furnizime të shërbimeve në lokale apo njësi të hapura për publikun, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, të cilat janë të detyruara të përdorin pajisje fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe të lëshojnë në mënyrë të detyrueshme kuponin tatimor.

24 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›