Veliaj: “Faturat e OSSH-së absurde, shteti po vjedh qytetarët”
Aktivistë të G99-s vizituan dje disa familje pensionistësh në qytetin e Durrësit, të cilat kanë ngritur shqetësimin, ashtu si qindra familje të tjera në të gjithë Shqipërinë, mbi faturat e OSSH-së. Këto fatura shënojnë shifra konsumi mbi 600 kilovatorë në muaj, shifra që duken absurde për një familje normale me pajisje modeste. Pensionistët kanë treguar se ata e kanë të papërballueshme të paguajnë fatura të tilla dhe se ushqimet e ilaçet i marrin me lista dhe në bazë të njohjes në komunitet.
Pas vizitës, Veliaj akuzoi qeverinë se po vjedh qytetarët me faturat e OSSH-së, duke shtuar edhe më shumë varfërinë dhe mjerimin e tyre. “Është e patolerueshme që një pensioniste që merr rreth 50 mijë lekë të vjetra në muaj të ketë një faturë që është mbi 70 mijë lekë të vjetra. Në qoftë se qeveria ka probleme dhe do të rrisë të ardhurat, të gjejë mënyra të tjera pa vjedhur qytetarët e ndershëm që sot u ka ardhur shpirti në majë të hundës dhe nuk mund të përballojnë dot këto lloj çmimesh. Ky problem është në të gjithë Shqipërinë. Zoti kryeministër na tregoi se ka një rritje dyshifrore ekonomike sot në vend. E vetmja rritje e tillë është rritja e faturave që njerëzit duhet të paguajnë, e vetmja rritje dyshifrore është rritja e listave të borxheve në dyqanet e ushqimeve dhe në farmaci”, - tha Veliaj.
24 Shkurt 2009