E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guvernatori Fullani: “Jemi goditur nga pasojat e para të krizës financiare globale”



Ervin KOÇI

Banka e Shqipërisë ka deklaruar dje se ekonomia shqiptare po vuan pasojat e para të krizës ekonomike globale. Gjatë një takimi me përfaqësues të bankave private në vend dhe të sektorëve më kyçë të ekonomisë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se "sistemi bankar në vend është i sigurt, por pasojat e para të krizës ekonomike po fillojnë të ndihen në vend”. Fullani sqaroi se ekonomia vendase e ka kaluar fazën e parë të goditjes nga kriza ekonomike që po trondit ekonomitë botërore. Sipas guvernatorit, tani Shqipëria ndodhet nën presionin e fazës së dytë. “Raundi i parë i krizës, i cili ishte sistemi financiar, kaloi pa efekte negative. Por sfida mbetet në raundin e dytë, në ngadalësimin e ekonomisë”, - shtoi Fullani. Kriza po ndjehet fillimisht në presionin mbi monedhën vendase, lekun, nga valutat e huaja euro dhe dollari. Për guvernatorin Fullani më shumë pasojat e kësaj krize po i vuan industria nxjerrëse dhe ajo prodhuese. Por ai siguroi se sistemi bankar vendas është ende i imunizuar nga kriza dhe se aktualisht nuk ka risk për këtë sistem. Sipas Fullanit, bankat e nivelit të dytë duhet të jenë më fleksibile me kreditë.

Apeli për bankat

Kriza ndërkombëtare ekonomike ka sjellë rënie të eksporteve shqiptare duke goditur direkt këtë sektor. Si pasojë e kësaj situate, edhe valuta që ka hyrë ka qenë më e pakët, duke ndikuar në zhvlerësimin e lekut. Nisur nga ky fakt, guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, u bëri apel bankave të nivelit të dytë që të kreditojnë bizneset eksportuese. “Ju kërkoj që të jeni më pranë biznesit, t’i sqaroni ata për komisionet që duhet të paguajnë dhe në përgjithësi për të gjitha shpenzimet”,- tha Fullani. Si koleg ai u kërkoi bankierëve që të jenë më konkurrues dhe të vijojnë të japin kredi, sidomos për bizneset. Donika Mici përfaqëson një nga bizneset eksportuese të vendit, që po has vështirësi për të marrë kredi. Prej kohësh ajo ka aplikuar, por rregullat e reja që bankat kanë nxjerrë pas shfaqjes së krizës kanë bërë që procedurat të bëhen më të vështira. “Kreditë janë vështirësuar shumë. Më parë bankat të lusnin për të të dhënë kredi, ndërsa sot janë shtrënguar shumë rregullat dhe kërkohet më shumë garanci. Ky fakt na ka stepur në investimet tona”, - u shpreh Mici. Kreu i BSH-së u kërkoi eksportueseve të heqin dorë nga eurozona dhe të gjejnë tregje të reja për të shitur mallin, pasi ekonomia europiane tashmë është në krizë. Ndërsa kreu i Shoqatës të Bankave, Libero Katalano, është shprehur se kriza ekonomike po prek industrinë nxjerrëse dhe prodhuese në vend. Sipas Katalanos, “duhen politika të reja për eksportet shqiptare me qëllim që t’i mbijetojnë krizës”.

Qëllimi i takimit

Ky aktivitet u organizua në vijim të dialogut të përbashkët të iniciuar nga Banka e Shqipërisë me të gjithë aktorët e ekonomisë, si dhe nisur nga zhvillimet e kohëve të fundit në vend dhe në tregjet globale, me qëllim inkurajimin e frymës së partneritetit midis komunitetit bankar dhe atij të biznesit. Ai synoi të nxisë debatin konstruktiv mes pjesëmarrësve rreth perspektivave të zhvillimit shumëplanësh dhe rolit të ndërmjetësimit bankar në këto zhvillime, me qëllim përzierjen e interesave të të gjithë aktorëve të ekonomisë. Guvernatori evidentoi domosdoshmërinë e shkëmbimit të informacionit midis BSH-së dhe vetë bizneseve. Për këtë qëllim, ai i bën apel komunitetit të biznesit që të bashkëpunojë me BSH-në, për të ofruar informacion të vlefshëm në lidhje me aktivitetin e tyre ekonomik dhe pritshmërinë e tyre në të ardhmen. “Analizat dhe studimet që përpilohen mbi bazën e këtij informacioni, siç janë vrojtimet e biznesit, janë të vlefshme jo vetëm për BSH-në në procesin e saj të vendimmarrjes së politikës monetare, por njëkohësisht ndihmojnë edhe vetë biznesin për hartimin e planit të tyre të zhvillimit në biznes”, - tha guvernatori.

Zhvlerësimi i lekut, nis rritja e çmimeve të produkteve të konsumit

Qytetarët po përballen ditët e fundit me një rritje të vogël të çmimeve, ku gjatë ditëve të fundit çmimet kanë pësuar një rritje të ndjeshme, që vlerësohet nga 60 deri në 100 lekë për artikull. Shkak është bërë zhvlerësimi i lekut, që ka çuar në një shtrenjtim të importeve, me të cilat furnizohet pothuajse tërësisht tregu në këtë periudhë. Qytetarët shprehen se çmimet janë të papërballueshëm për buxhetet e tyre dhe se janë të detyruar që të heqin dorë nga shumë produkte. Rritja e çmimeve pranohet edhe nga tregtarët. Ata shprehen se kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së prodhimit vendas në treg dhe furnizimit me import. Çmimet e larta janë shoqëruar edhe me rënie të ndjeshme të blerjeve. Si rrallëherë çmimi i sallatës ka arritur në 240 lekë për kilogram, speci në 280 lekë, trangulli në 300 lekë, domatja shitet me 160 lekë po kaq edhe qepa e njomë. Kungulli shitet me 200 lekë dhe me këtë çmim tregtohet edhe rrushi e mandarina. Rritja e çmimeve ndikon direkt tek jetesa e qytetarëve duke pasur parasysh se pjesa dërrmuese e të ardhurave mujore të tyre përdoret për ushqim.

24 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›