LSI: Propozimet tona për përballimin e krizës ekonomike
Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë dje publike një sërë propozimesh për marrjen e masave konkrete për përballimin e krizës ekonomike. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, tha se masat e marra nga qeveria nuk shmangin krizën. Ai tha se është e nevojshme që këto masa t’u vijnë në ndihmë shtresave të varfëra, që preken edhe më shumë nga kriza. “Ne duhet të kemi mundësinë të ndërhyjmë te shtresat që preken më shumë nga kriza. Ne duhet të ndërhyrjmë te të varfërit. Ne duhet të ndërhyjmë për të ndihmuar pensionistët. Ne duhet të ndërhyjmë për të ndihmuar të papunët apo ata që janë me ndihmë ekonomike. Pra, duhet të ndërhyjmë tek ata, të cilët kriza i godet më shumë se të tjerët. Sepse, e thashë, ne nuk kemi shtet të fuqishëm që të hedhim miliarda në ekonomi për të nxitur ekonominë, por të paktën duhet të ndërhyjmë për të mbrojtur shtresat shoqërore që goditen më shumë nga kriza”, - tha Prifti.
Në emër të LSI-së, deputeti Prifti ka kërkuar uljen 10% të TVSH-së, rritjen 30% të pensioneve, rritjen 50% të ndihmës ekonomike, rritjen deri në 30 miliardë lekë të subvencionimit në bujqësi, heqjen e tatimit të fitimit për të gjitha bizneset e reja, përqendrim të investimeve të buxhetit te kompanitë shqiptare, nxitje të elementit shqiptar në prokurime publike dhe tendera, si dhe zhbllokim të kredive në ekonomi. “I bëj thirrje qeverisë që ta marrë më seriozisht krizën. Nuk ka vend për t’u mburrur që ne jemi ndër 10 vendet më të paprekura në botë nga kriza financiare. Këto janë gjëra që nuk i beson askush, sepse ne lëvizim në të gjithë Shqipërinë çdo ditë dhe e shohim se sa e vështirë është bërë jetesa për një pjesë të madhe të popullsisë shqiptare, mbase për 50 për qind të popullsisë. Ne i bëjmë thirrje qeverisë të largohet nga euforia e tepruar dhe e pakuptimtë dhe me të vërtetë të marrë masa për mbrojtjen e atyre që janë goditur rëndë nga kjo krizë”, - tha nënkryetari dhe deputeti i LSI-së.
24 Shkurt 2009