Bizneset e vegjël: 40% pajisen me kasa fiskale
Rritet numri i pajisjes së bizneseve të vegjël me kasa fiskale. Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë bërë me dije se janë 33 mijë biznese të kësaj kategorie, nga 80 mijë, të cilët kanë blerë dhe kanë vendosur në punë kasat fiskale, të përkthyer në 40%. Sipas të njëjtave burime nga tatimet, shoqëritë e autorizuara për shitjen e pajisjeve fiskale, po lidhin rreth 500 deri në 1 mijë kontrata në ditë, për vendosjen e tyre. Ndërkohë që tatimet e kanë vëzhguar procesin dhe kanë ofruar asistencë për bizneset në lidhje me procesin, informacion për shoqëritë. Gjithashtu, procesi i kontrollit, thonë burimet nga tatimet se, po vazhdon dhe bizneset e papajisura ende me kasa fiskale po penalizohen me gjoba që arrijnë në shifrën deri në 100 000 lekë. Ata shprehen se kontrollet do të vazhdojnë deri në pajisjen 100% me kasa fiskale të bizneseve dhe nëqoftëse edhe pas gjobave ata nuk marrin masa, tatimet do të ndërhyjnë me bllokim të aktivitetit. Ndërkohë qeveria ka miratuar vendimin për kompensimin e bizneseve për kasat fiskale nga buxheti i shtetit. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, bizneset do të kompensohen me një shumë prej 44 mijë lekësh, ndërsa taksitë me 30 mijë për taksimetrin. Ky vendim është kundërshtuar nga opozita, e cila e ka argumentuar qëndrimin e saj me cenimin e autonomisë së pushtetit vendor dhe njëkohësisht boshatisjen e arkës së të gjitha bashkive të vendit.