Rimbursimi i kasave, kërkesat deri më 30 prill
Njësitë e qeverisjes vendore duhet të paraqesin kërkesën për rimbursimin e kasave të taksimetrave, deri në datën 30 prill të këtij viti, në ministrinë e Financave. Afati si i tillë është përcaktuar në një urdhër që ministri i Financave ka lëshuar këto ditë, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, të 29 dhjetorit të vitit të shkuar, për procedurat e kryerjes së rimbursimit të kasave ndaj biznesit. Kërkesën duhet ta bëjnë njësitë e qeverisjes vendore dhe duhet të dorëzohet në ministrinë e Financave, deri më 30 prill të këtij viti. Ministri Bode saktëson se kërkesa me shkrim duhet të jetë e firmosur nga nëpunësi i autorizuar, i njësisë, me vlerën e fondit që kërkohet për t’u rimbursuar deri në atë periudhë. Gjithashtu kërkesa e drejtuar nga bashkia, ose nga komuna, duhet të përmbajë listën e subjekteve të biznesit të vogël, që kanë përfituar rimbursim për pajisjen fiskale dhe taksimetrin (vlerën e saj përfshirë edhe TVSH-në, por jo më shumë se vlera e përcaktuar në VKM nr.1065, datë 29.12.2010) për ato subjekte që nuk janë të përfshirë në skemën e TVSH-së dhe që nuk regjistrohen në këtë skemë brenda 6 muajve, nga hyrja në fuqi e ligjit, datë 18 nëntor të vitit të shkuar, të rakorduar me degën rajonale të tatim taksave. Rakordimi i njësive të qeverisjes vendore, me degët rajonale të tatim taksave, të bëhet në përputhje me kërkesat e pikës 4 të VKM të datës 29 të dhjetorit të vitit 2010 “Për kriteret dhe procedurat e kryerjes së rimbursimit nga taksa e biznesit të vogël të pagesës, për pajisjet fiskale dhe taksimetrat”. Kërkesat për rimbursim dërgohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit, pranë ministrisë së Financave, e cila i administron këto kërkesa deri në përfundimin e procedurës për rimbursimin e njësive vendore, që kanë bërë kërkesë. Dokumentet origjinale do të arkivohen në protokollin e ministrisë së Financave. Urdhri i Bodes sanksionon, se me marrjen në dorëzim të këtij dokumentacioni, Ministria e Financave propozon projektvendimin pranë Këshillit të Ministrave, për rimbursimin e vlerës së Taksës së Biznesit të vogël për njësitë e qeverisjes vendore, sipas vlerave përkatëse, nga zëri kontigjencë, parashikuar në buxhetin e vitit 2011. Ky fond, tek njësitë e qeverisjes vendore do të kompensojë pjesën e Taksës së Biznesit të vogël, e cila ka rimbursuar pajisjen fiskale apo taksimetrin. Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, të Vendimit për kompensim të njësive të qeverisjes vendore, Ministria e Financave (Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit dhe Drejtoria e Përgjithshme të Thesarit), bëjnë alokimin e fondeve për rimbursim sipas njësive të qeverisjes vendore, tek Degët përkatëse të thesarit. Transferimi i fondeve do të kryhet tek Degët e Thesarit: Ministria 10, Kapitulli 01, Programi 01120, artikulli 6870000 ( Shpenzime të jashtëzakonshme), me kodet përkatëse të Degës së Thesarit. Shkresa do shoqërohet me listën e njësive dhe fondeve përfituese.
Me marrjen e njoftimit, njësitë e qeverisjes vendore, përpilojnë një Faturë për Arkëtim për vlerën e Taksës së Biznesit të vogël, të cilën duhet ta paraqesin në Degën e Thesarit.
Me marrjen e shkresës nga Ministria e Financave dhe Faturës për Arkëtim, nga njësia e qeverisjes vendore, Dega e Thesarit do të bëj xhirim të brendshëm, për çdo njësi sipas vlerës në listën bashkëlidhur shkresës së Ministrisë se Financave, në Artikullin/Llogarinë 7002100 (Taksa e Biznesit të vogël), të çdo njësie të qeverisjes vendore.