Të përmbyturit, ja çmimet me të cilat do të kompensohen
Qeveria ka përcaktuar çmimet me të cilat do të kompensohen familjet e zonave të përmbytura. Çmimet referencë, me të cilat do të bëhet kompensimi, përfshijnë gjënë e gjallë, makineritë, drurët frutorë dhe mbjelljet në fusha dhe në sera. Kështu, sipas vendimit të qeverisë, që u publikua dje në Fletoren Zyrtare, një lopë racë, nëse ka ngordhur nga përmbytjet, kompensohet me 150 mijë lekë të reja dhe një lopë vendi, me 90 mijë lekë të reja, ndërsa pulat me 1000 lekë të reja. Gjithashtu edhe ndërsa makineritë kompensohen, deri në 13 milionë lekë të reja. Ndërkohë, grupet e punës për të bërë vlerësimet janë ngritur. Grupet e punës, sipas njësive të qeverisjes vendore, të prekura nga përmbytja, kanë në përbërje specialistë dhe ekspertë, të përcaktuar nga ministritë, institucionet dhe njësitë e qeverisjes vendore. Afati për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve në objekte banimi, nga grupet e mësipërme, të jetë brenda 20 ditëve në vazhdim. Për grupin orendi e mobilie, të bëhet dëmshpërblimi në lekë, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për frymë dhe jo më shumë se 300 000 (treqind mijë) lekë për familje. Vlerësimi i dëmeve të shkaktuara në të mbjella, në gjënë e gjallë, në sera diellore ose me ngrohje, në mekanikën bujqësore, në rezervate peshku e në bimët dekorative, të kryhet sipas çmimeve të tregut të marra nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Baza ushqimore të kompensohet nga shteti me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave. Ndërsa për objektet e biznesit, vlerësimi i dëmeve në makineri, mallra e pajisje të dëmtuara, të kryhet në përputhje me dokumentacionin e depozituar pranë organeve tatimore dhe doganore. Për vlerësimin e dëmeve në pajisje të dëmtuara, mund të përfshihen edhe ekspertë privatë të licencuar në fushën përkatëse. Vlerësimi i dëmeve në anën ndërtimore të bizneseve bëhet nga Enti Kombëtar i Banesave, në përputhje me aktet nënligjore në fuqi. Këshilli i qarkut përkatës, brenda 5 ditëve, të gjithë praktikën ia përcjell Ministrisë së Brendshme, e cila, gjithashtu, brenda 5 ditëve paraqet në Këshillin e Ministrave për miratim, projektvendimin përkatës me vlerën e dëmeve të shkaktuara nga përmbytja, së bashku me listën emërore të kryefamiljarëve të dëmtuar/bizneseve, të detajuar për dëmet në objekte banimi, bujqësi e blegtori, ndërtesa me karakter bujqësor, në objekte të prodhimit e të përpunimit agrobujqësor, në makineri dhe pajisje, në rezervatet e rritjes së peshkut, në bimë dekorative, si dhe në objekte ndihmëse, sipas formularëve-tip.