E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët protestojnë për pasaportat biometrike

06/01/2010  Pushimet e stërzgjatura të Vitit të Ri, nuk tërheqin dokumentet
Sportelet e pakta nuk përballuan fluksin e madh të kërkesave
Qindra emigrantë të ardhur në vendlindjet e tyre pas një pritje të gjatë dhe gati të padurueshme, në rënien e gongut për përfundimin e festave të Vitit të Ri, (të cilat dukeshin sikur nuk kishin të përfunduar), “sulmuan” mëngjesin e së martës, madje që në orët e para të kësaj dite, qendrën e aplikimit për pajisjen e qytetarëve me pasaportën biometrike dhe kartën e identitetit, qendrën e shpërndarjes së këtyre dokumenteve, si dhe zyrat e gjendjes civile për tërheqjen e certifikatave, por as njëra dhe as tjetra nuk kanë mundur t’i përgjigjen fluksit të madh të emigrantëve. Numri i madh i emigrantëve, i gjendur në të njëjtën kohë para sporteleve të zyrave, krijoi konfuzion dhe gjeti të papërgatitur jo vetëm ekipin e qendrës së aplikimit, por edhe atë të shpërndarjes, si dhe stafin e zyrës së gjendjes civile. Tre institucionet e përmendura më sipër, nuk patën mundësi as të vendosnin rregull dhe as të organizonin vendosjen e tyre në radhët e pritjes. Për këtë arsye, këto qendra, përveçse mbeten të bllokuara, pa kryer as një veprim, në të njëjtën kohë u përballën me nervozizmin e emigrantëve, të cilët ndiheshin të alarmuar për çdo orë që kalonte, pasi dikush rrezikonte vendin e punës dhe dikush tjetër kishte një tjetër hall. Që të gjithë ndiheshin të shqetësuar. Në këto rrethana dhe në mënyrë spontane, ata u grumbulluan të gjithë bashkë, duke organizuar kështu një demonstrim në shenjë proteste. Turma e emigrantëve, përshkoi rrugën që të çon te parku “Rinia” dhe e bllokuan atë për një farë kohe, për t’u rikthyer sërish te qendrat e shpërndarjes së pasaportave biometrike dhe letrat e njoftimit, pasi marrja e pasaportës ishte e vetmja rrugëdalje për ta, por sërish u përballën me të njëjtën situatë. Ekipet e punonjësve e kishin të pamundur të përballonin numrin e madh të emigrantëve. Ndërkohë edhe në Berat emigrantët janë përballur sërish me radhët e gjata për tërheqjen e pasaportave biometrike. Pasi kanë aplikuar për dokumentet e reja dhe në pritje për t’u larguar drejt vendeve të tyre të punës ata po kalojnë vështirësi jo vetëm për aplikimin, por tashmë dhe për tërheqjen e dokumentit të pasaportës. Në të gjithë qarkun e Beratit është në shërbim të banorëve të bashkisë Berat dhe 10 komunave të saj një qendër e vetme ku shpërndahen pasaportat biometrike. Pushimi zyrtar i festave bëri që të krijohen radhë të gjata për tërheqjen e dokumentit pranë të vetmes qendër, e cila ndodhet në ambientet e policisë së komisariatit të Beratit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›