Berisha: “Vendimi i BE-së për Statusin e Shqipërisë, historik”
Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha e cilësoi historik vendimin e marrë dje nga ministrat e Jashtëm të 27 vendeve të Bashkimit Europian, të cilët pranuan kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Gjatë një konference për shtyp, vetëm pak minuta pas marrjes së vendimit në Bruksel, Berisha u shpreh se ky vendim vjen si pasojë e reformave të gjithanshme të marra gjatë 18 viteve të demokracisë në vend. Sipas kreut të qeverisë, një ndikim të madh për të marrë këtë vendim ka pasur ecuria e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe përmbushja e standardeve të përcaktuara nga OSBE/ODIHR-i. Berisha u shpreh se në rast se zgjedhjet nuk do të kishin përmbushur standardet, ky vendim nuk do të mund të ishte marrë nga ministrat e BE-së. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë i bëri thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend dhe të japë kontributin e saj për vazhdimin e reformave në kuadër të përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit europian.
Deklarata
“Ky vendim unanim i 27 vendeve anëtare të BE-së është një vendim historik, sepse ky përbën vendimin politik më të rëndësishëm të BE-së për 18 vitet e fundit për Shqipërinë. Vendimi i ministrave të Jashtëm të BE-së është pas anëtarësimit të vendit në NATO, vendimi më i rëndësishëm që vendet e zhvilluara të Europës kanë marrë për Shqipërinë. Ky vendim është njëkohësisht vlerësimi më i madh që i bëhet demokracisë shqiptare, përpjekjeve të mëdha të qeverisë, institucioneve të vendit, por edhe mbarë qytetarëve shqiptarë”, - është shprehur Berisha, ndërsa theksoi se ky vendim është rezultat i reformave të suksesshme të ndërmarra nga qeveria.
“Reformat e thella dhe të gjithanshme, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zgjerimi dhe konsolidimi i të drejtave njerëzore, zgjedhjet e lira e të ndershme të 28 qershorit, që përmbushën standardet kryesore të OSBE-ODIHR-it, qëndrojnë në këtë vendim historik”, - është shprehur Berisha. Ai theksoi se “zgjedhjet ishin prova jonë e madhe para BE-së, prova e përkushtimit ndaj vlerave të botës së lirë, që është themelore. Në zgjedhje shqiptarët mandatuan vazhdimin e reformave”. Berisha gjithashtu i garantoi ministrat e BE-së se qeveria që ai drejton do të ndërmarrë çdo reformë, do të miratojë çdo ligj për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ky vendim. Në përfundim të deklaratës së tij Berisha i drejtoi opozitës apelin e tij për rikthimin e saj në Kuvend për vazhdimin e reformave. “Dua ta përfundoj këtë deklaratë me një apel thellësisht të sinqertë dhe miqësor ndaj opozitës shqiptare. Le të punojmë së bashku në këto momente historike për çdo shqiptar dhe për kombin në tërësi. Le të ndërmarrim së bashku reformat më të thella në interesin e këtij vendi, pa dallim për bindjet politike”, - është shprehur kryeministri. Ai bëri të ditur se ky vendim i marrë nga BE-ja është përgjigjja më e mirë që mund të marrë opozita për cilësinë e zgjedhjeve në Shqipëri. “Mendoj se për çdo qytetar të këtij vendi, për të gjithë ata që e kanë integrimin e Europës si interesin më madhor të tyre, vendimi i sotëm është apeli më i fuqishëm për bashkëpunim, për të çuar përpara këtë proces në interesin më të mirë të qytetarëve të vendit. Ju siguroj se ky vendim nuk do të mund të merrej më 16 nëntor të vitit 2009 apo dhe vite më pas nëse zgjedhjet në Shqipëri nuk do të përmbushnin standardet kryesore të OSBE-së. Në një mënyrë përgjigjja më reale, më e vërtetë, është ky vendim”, - është shprehur Berisha, ndërsa e ftoi Ramën të dalë e të përshëndesë vendimin. “Unë e ftoj Ramën që nesër të dalim së bashku para jush të përshëndesim vendimin. Unë kam komunikuar dhe do të komunikoj pa ndërprerë me çdo qytetar të këtij vendi. Nuk e ndërpres komunikimin me Ramën, me të cilin kam një arkiv shumë pozitiv arritjesh. Mos shihni vetëm megafonin publik, por edhe reformat e miratuara së bashku”, - është shprehur Berisha.
17 Nentor 2009