Protesta e PS-së në Fier, Rama: “Berisha rrëzohet nëse nuk i hap kutitë”
Shaban Sulçe
Partia Socialiste zhvilloi në Fier protestën e saj të fundit, përpara protestës të madhe që ka paralajmëruar se do të zhvillojë në datën 20 nëntor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Socialistët kanë protestuar në qytetin e Fierit, aty ku denoncuan manipulime në zgjedhje, madje edhe grabitjen e mandatit të 9-të, të cilin e rifituan pas një beteje ligjore në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor. Në fjalën e tij përpara protestuesve, kryesocialisti Edi Rama ka paralajmëruar rrëzimin e qeverisë dhe të kryeministrit Berisha nëse ai do të vijojë të mos i hapë kutitë e votimit. Rama ka akuzuar gjithashtu qeverinë se nuk zbardhi vrasjen e deputetit socialist, Fatmir Xhindi.
Rama
Për kryesocialistin Edi Rama, rrëzimi i Berishës është i pashmangshëm për sa kohë kryeministri nuk do të hapë kutitë e votimit. “Një njeri që vazhdon të fshehë votën është gjithmonë e më pranë largimit të tij. I themi Berishës të mos rrijë mbi kutitë e mbyllura të zullumit të 28 qershorit sepse do të rrëzohesh vetë, njësoj si atëherë kur u zgjodhe president dhe e more gjithë Shqipërinë me vete. Nëse nuk hap kutitë do të largohesh me zgjedhje shumë më të parakohshme”, - ka deklaruar Rama.
Kreu i PS-së u ka bërë thirrje qytetarëve të Fierit dhe të të gjithë Shqipërisë që të marrin pjesë në protestën e 20 nëntorit në Tiranë. “Jam i bindur se të gjithë ju qytetarë liridashës të Fierit do të vini kështu siç jeni në Tiranë, më 20 nëntor, për t’i treguar Shqipërisë se kjo betejë për të nxjerrë në dritën e diellit votën e kyçur nga Sali Berisha është një betejë për të nxjerrë Shqipërinë nga rrethi i vendeve me zgjedhje të deformuara”, - vijoi Rama. Më tej kreu i PS ka hedhur një seri kritikash ndaj institucioneve shtetërore për moszbardhjen e vrasjes së deputetit socialist të qarkut të Fierit, Fatmir Xhindi. Rama ka theksuar se PS-ja nuk mund ta harrojë njeriun e saj që u ekzekutua ne oborrin e shtëpisë së tij. “6 muaj kanë kaluar dhe përveç nxjerrjes në tregun e gazetave të gjithfarë versionesh, nga më skandalozet, nga vetë njerëzit e shtetit ne sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, - deklaroi Rama.
Ngjela
Kryetari i Partisë Ligj për Drejtësi, Spartak Ngjela, tha se deputetet e Partisë Socialiste do të hyjnë në histori, pasi po i thonë “Jo”, Parlamentit të votës së vjedhur. “Akti që ndërmorët ju për mbrojtjen e votës së lirë disa muaj më parë ishte fillimi i një epoke të re në Shqipëri, e cila do të rrëzojë përfundimisht këtë errësirë kundër të drejtave të njeriut. Nuk mund të ketë shoqëri demokratike pa votë të lirë. Më lejoni, të nderuar fierakë e fierake, më lejoni, se edhe 60 deputetët socialistë që i kanë thënë jo një parlamenti të vjedhur, edhe ata do të hynë në këtë rrjedhë historike, për rivendosjen e votës së lirë, është për të drejtën themelore të demokracisë. Ne nuk kemi punë, sepse s’kemi vota të lira. Ne kemi korrupsion, sepse nuk kemi arritur që ta rrëzojmë qeverinë që në dy muajt e parë. Ajo që ndërmorët e po ndërmerrni është historike. E keni filluar ju si qytet dhe do të përfundojë në Tiranë, për të rrëzuar këtë tirani”, - tha Ngjela.
------------------
Ruçi: “Më 20 nëntor do të rrëzojmë murin që na ka penguar këto 20 vjet”
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, ftoi qytetarët e Fierit dhe të të gjithë Shqipërisë që të marrin pjesë në protestën e 20 nëntorit në Tiranë. Ruçi tha se në këtë protestë do të rrëzohet muri që i ka penguar shqiptarët në këto 20 vjet. “Më datë 20 të gjithë në Tiranë për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Më datë 20 nëntor në Tiranë, të gjithë së bashku, për të zbardhur krimin e zgjedhjeve të 2009-s. Të gjithë në Tiranë për hapjen e kutive, pasi është kjo e vetmja rrugë e denjë për një Shqipëri të denjë. Të gjithë në Tiranë më 20 nëntor për të pasur një pushtet për qytetarët, dhe jo për familjarët e Berishës. Të gjithë në Tiranë për t’i thënë njëherë e mirë ndal fenomenit ‘Berisha’. Për të rrëzuar murin që na ka penguar për 20 vjet. Të gjithë në Tiranë për lirinë e votës, punës, fjalës, pronës”, - u shpreh Ruçi.
Çaçi: “Nuk po protestojmë për interesat personale të Ramës”
Deputeti socialist i qarkut të Fierit, Albert Çaçi, tha se socialistët nuk po protestojnë për interesat personale të kryetarit të tyre, por për të drejtën themelore të demokracisë, që është hapja e kutive të votimit. “Kemi qenë dëshmitarë se si këtu në Fier donte të grabiste mandatin e 9-të, por qëndresa juaj bëri që kutitë të hapën dhe u pa çfarë kishin brenda ato. U pa qartë se mandati i 9-të i takonte Fierit. Ashtu siç e dimë mirë se çfarë kanë kutitë që ne duam të hapim. Për kutitë që ne kërkojmë të hapen nevojitet vetëm një kamera, pesë persona dhe zgjidhet kriza politike dhe hapet rruga e reformave. Ne po protestojmë jo për interesa personale të Edi Ramës, siç ka thënë dikush, por për të drejtën themelore të demokracisë. Ta heqë nga mendja se deputetët e PS-së do të hyjnë në Parlament pa u hapur kutitë”, - tha ai.
Milo: “Fundi i Berishës, dhurata jonë para Vitit të Ri”
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, u shpreh se fundi i kryeministrit Berisha do të jetë dhurata e opozitës para Vitit të Ri. “Është në dorën tonë që ta kemi fundin e Sali Berishës si një dhuratë, pse jo, për Vitin e Ri. Nëse nuk plotëson kushtet e opozitës, fundi i tij politik është shumë i shpejtë. Tashmë, si në ’97-n, kanë nisur t’i dridhen gjunjët. Me Sali Berishën nuk ka kompromis në tavolinë, ai njeh kompromisin e imponuar vetëm atëherë kur të bindet se nuk mund të qëndrojë më në pushtet”, - u shpreh Milo.
Meksi: “Pa vota të lira nuk ka integrim në Europë”
Deputetja e PS-së në qarkun Fier, Ermelinda Meksi, deklaroi se nuk mund të ketë integrim eropian për sa kohë që në Shqipëri nuk respektohet vota e lirë. “Pa vota të lira s’ka integrim në Europë. Ne treguam se vetëm të bashkuar fitohet dhe kështu duhet të jemi përsëri, për të fituar sërish. Ju po e provoni çdo ditë hakmarrjen, sepse ishit në komisione dhe po pushoheni nga puna. Ju dhe pjesëtarët e familjeve tuaja qëndruat me orë të tëra në ruajtje të kutive dhe u burgosët. Ne i themi se nuk na tremb aspak dhe nuk na mposht dot. Nuk na ndalon askush në të drejtën tonë për hapjen e kutive, atje ndodhet krimi elektoral i Berishës. I themi se është ai përgjegjës për bojkotin, është ai përgjegjës për liberalizimin e vizave, sepse me qëndrimin arrogant, është bërë turpi i qeverisë. Është qeveria përgjegjëse, sepse Serbia, Maqedonia, e Mal i Zi e fituan, kurse Shqipëria jo”, - tha Meksi.
Ervin Koçi: “Qeveria e ka zhytur vendin në krizë”
Kryetari i PS-së së Fierit dhe njëkohësisht deputeti socialist Ervin Koçi, tha se qeveria aktuale e ka zhytur vendin në një krizë të gjithanshme. “Sot, ky pushtet i marrë me vota të dhunuara po nëpërkëmb të drejtat e qytetarëve, ku po qeverisemi nga injorantët në çdo nivel të pushtetit qendror. Çmimet po rriten, importet e eksportet po bien, fuqia blerëse është ulur ndjeshëm, produktet që prodhojnë bujqit e fermerët janë të pashitura. Pra, miqtë e mi, jemi në krizë të thellë politike, ekonomike, sociale. Të bashkohemi të gjithë, bujq e fermerë, të shkojmë në Tiranë, më 20 nëntor, të protestojmë kundër këtij pushteti”, - tha Koçi.
Klosi: “Moshapja e kutive është pretekst absurd”
Ish-anëtari i Kryesisë së LSI-së, Fatos Klosi, e cilësoi absurde, pretekstin e qeverisë për moshapjen e kutive. “Është pretekst absurd që nuk mund të hapen kutitë dhe s’mund të dilet mbi Gjyqësorin, ka edhe precedentë të tjerë që jo vetëm janë hapur kutitë, por edhe janë hapur arkivat e shtetit. Dua t’ju kujtoj se vetëm në sajë të këmbënguljes tuaj në ditët e fundit, u arrit ajo që duhej, prandaj ky shembull i Fierit, të na mobilizojë që ta bëjmë në të gjithë Shqipërinë. Horrat e qeverisë duket që po tremben”, - tha Klosi.
Veliaj: “Integrimin e pengon qeveria, jo protesta jonë”
Kreu i G99-s, Erion Veliaj, akuzoi qeverinë si shkaktare të pengimit dhe vonesave të integrimit të vendit. ”Kryeministri dhe Ilir Meta thonë se ne po pengojmë integrimin e Shqipërisë. Po si ka mundësi që shqiptarët që futen në grevë urie, pengojnë integrimin?! Shqiptarëve që u vidhet prona janë duke penguar integrimin?! Familjet në Gërdec janë duke penguar integrimin?! Opozitarët që kërkojnë zbardhjen Xhindit janë duke penguar integrimin?! Integrimi i Shqipërisë pengohet kur nuk di të hapësh kutitë, prandaj hapni kutitë. Integrimi i Shqipërisë pengohen nga zgjedhje si ato që pamë dje, ku shumica nuk e dinin që kishte zgjedhje”, - tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Patosit bashkohet me PS-në
Kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli, ka deklaruar dje largimin përfundimtar nga LSI-ja, për t’u bashkuar me protestën e Partisë Socialiste. “Hapja e kutive është një betejë e ndershme, që buron nga e drejta qytetare për të jetuar në një vend demokratik. Pozicioni im është shumë komod, të jem në krah të qeverisë, por jam i bindur se e drejta e qytetarëve është cenuar, është cenuar themeli e demokracisë dhe ndershmërisë, vota e lirë. Një qeveri e re socialiste në të ardhmen do të jetë angazhimi im maksimal. Sot kam vendosur të dorëzoj në këtë shesh pikërisht, të gjitha ofiqet që me lidhin me LSI-në”, - tha Meli.
17 Nentor 2009