E Diel, 1 Nëntor 2026

Premtimi i Ramës në Fier: “Do të katërfishojmë vendet e punës”



FIER - Kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi se PS-ja do të katërfishojë vendet e punësimit. Këto deklarata Rama i bëri në një takim të zhvilluar në fshatin Daullas të Fierit, në kuadër të turit “Programi i ri i PS-së”. Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi PS-ja do të katërfishojë vendet e punës dhe do të dyfishojë pagat në rast se fiton zgjedhjet”.
Rama ka qenë i shoqëruar në këtë takim nga deputetët Gramoz Ruci, Rajmonda Stefa, Ylli Bufi, Albert Caci si dhe nga zëvendësi i tij, Ilir Beqa. Rama u shpreh se PS-ja, në rast fitoreje, do të nxjerrë kartën shëndetësore. “Në qoftë se kjo qeveri po lufton për të pajisur popullatën me karta identiteti, ne do të nxjerrim kartën shëndetësore të dixhitalizuar, që do të thotë; çdo shtetas do të ketë kartën e tij shëndetësore”, - tha Rama. Premtim tjetër i kreut socialist ka qenë edhe lehtësitë për bizneset e vogla. Ai deklaroi falje taksash dhe tatimesh për një periudhë 3-vjecare me qëllim fuqizimin e aktivitetit të tyre. Kreu socialist deklaroi dje se PS-ja do të krijojë një ministri të re. Ministria e re do të quhet Ministria e Zhvillimit Rural. Ai tha se nuk mund të ketë Shqipëri europiane pa zhvillimin e kapitalizmit në fshat dhe certifikimin e pronës. “Ne në fshat do të fusim kapitalizmin, ndërkohë që bizneset e reja do të lihen tre vjet pa taksa e tatime, derisa ata të kapin veten”,- tha Rama. Ndërsa në qytetin e Shkodrës Rama foli për centralin atomik që kryeministri ka vendosur të ndërtojë në këtë qytet. Ai e paralelizoi këtë ide me TEC-in e vendosur në Vlorë. Rama tha se edhe në 2005-n Berisha u pati premtuar vlonjatëve se ata do të zhvillonin referendumin nëse e donin apo jo TEC-in, por referendumi nuk u zhvillua kurrë. “Kur Sali Berisha të vijë këtu pas pak ditësh dhe t’ju thotë se nuk e bëjmë centralin pa qenë ju dakord, mos harroni se po kështu u tha vlonjatëve 4 vjet më parë për TEC-in, kur i duheshin votat, dhe pastaj i rrahu dhe i futi në burg, sepse i kërkuan të mos e ndërtonte TEC-in pa mbajtur fjalën e dhënë për të bërë referendumin”, - u shpreh Rama.

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›