E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtimi i gazit, Ministria e Ekonomisë nis aksionin për disiplinimin e tregut

Aksioni ka nisur me mbylljen e pikave të paligjshme të gazit. Ky proces është klasifikuar në grupin e katërt të nivelit të sigurisë

Ervin KOÇI

Brenda tre ditësh, të gjitha pikat e tregtimit të gazit në kryeqytet që janë të paligjshme dhe që ndodhen në afërsi të pallateve ose brenda blloqeve të banimit do të mbyllen. Ky ka qenë vendimi i marrë para pak kohësh prej Inspektoratit të Naftës dhe Gazit në varësi të Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, i cili e ka konsideruar situatën alarmante. Për këtë qilim dje ka nisur aksioni për bllokimin dhe mbylljen e pikave të gazit, si dhe mos lejimin e tregtimit të bombolave në njësitë e shërbimeve të tjera, kryesisht në dyqanet ushqimore. Sipas METE-s, aksioni do të vijojë më tej edhe me mbylljen e të gjitha pikave të paligjshme të karburanteve që ndodhen brenda zonave të banuara apo në afërsi të pallateve. “Ky aksion është parashikuar të mbyllet brenda tre ditësh. Pas Tiranës operacioni do të vazhdojë në qytete të tjera të vendit, si Durrësi, Shkodra, etj., e më pas do të vazhdojmë edhe me impiantet dhe instalimet e furnizimit me naftë të automjeteve. Situata është shumë e vështirë, sepse ka pasur një bum të krijimit të këtyre pikave ilegale të cilat janë shumë pranë zonave të banuara e kërcënojnë çdo ditë jetët e njerëzve”-, tha zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali. METE e ka koordinuar këtë aksion në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe disa institucione të tjera. Zëvendësministri i Brendshëm, Genti Strazimiri, tha se, "për këtë aksion, që parashikohet të zgjasë tre ditë, është përgatitur një plan-veprimi me objekt mbylljen e këtyre veprimtarive dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të gjithë atyre që shkelin rregullat". Për këtë qëllim janë krijuar dy grupe kontrolli me përfaqësues të strukturave të Inspektoratit Qendror Teknik, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe Inspektoratit të Ndërtimit, që do të mbështeten nga forcat e policisë.

Rreziku i aksidenteve

Drejtuesit e METE-s dhe specialistët e MKZ-së shpjegojnë se është konstatuar se procesi i mbushjes së bombolave me gaz në pika shitje në ambiente brenda zonave të banuara, pa lejet përkatëse, është i pasigurtë pasi nuk ka asnjë element sigurie teknike. Speciaistët thonë se ky është një proces i pakontrolluar dhe kryhet në prezencë të qytetarëve, në një kohë që ambientet ku zhvillohet kjo veprimtari janë të papërshtatshme dhe kanë personel të pakualifikuar. Ky proces është klasifikuar në grupin e katërt të nivelit të sigurisë, që do të thotë se ka rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre. Gjithashtu ministria ka identifikuar instalime të paligjshme të autogazeve pranë stacioneve të karburanteve për automjete brenda zonave të banuara, të cilat klasifikohen me nivel rrezikshmërie të lartë dhe si të tilla duhet të mbyllen. Sipas zëvendësministrit Alibali, janë përcaktuar zonat e kontrollit mbi bazë minibashkie për secilin grup, si dhe u janë dhënë përgjegjësve të grupeve adresat përkatëse të identifikuara. "Grupet e kontrollit do të kryejnë edhe krehje të zonave të përcaktuara për këtë aksion, për të zbuluar dhe pika të tjera të paligjshme të përpunimit të gazit,- nënvizoi Alibali, duke shtuar se, - në rast konstatimi të kundravajtjeve ligjore, grupet e kontrollit do të kryejnë procedimet përkatëse ligjore”.

Kontrolli

Zëvendësministri Alibali tha se nga informacionet e mbërritura konstatohet se situata më emergjente rezulton të jetë në përpunimin dhe tregtimin e gazit në Tiranë, si dhe në disa qytete të tjera të mëdha të vendit. "Është konstatuar se procesi i transvazimit të GLN-së (gazit të lëngëzuar të naftës), nga bombola në bombol në pika shitje e ambiente brenda zonave të banuara është i pasigurtë, pasi nuk ka asnjë element sigurie teknike",- deklaroi Alibali. Sipas Inspektoratit Qendror Teknik që prej fillimit të vitit në të gjithë territorin janë kontrolluar dhe bllokuar rreth 168 pika të paligjshme dhe të rrezikshme të tregtimit të gazit të lëngshëm dhe autogazeve. Gjatë vitit 2008, IQT-ja ka çuar 7 subjekte të mbushjes së gazit që ndodhen në Tiranë për ndjekje penale, si dhe ka bllokuar 16 autogaze. Ndërsa, gjatë kontrolleve të ushtruara në vitin 2008 rezultoi se rreth 47 njësi të mbushjes së gazit në të gjithë vendin nuk ishin të pajisura me autorizimin përkatës nga bashkia. Pas Tiranës, ky aksion do të shtrihet më pas edhe në qytete të tjera të vendit.

Tregtarët e gazit, mbyllja e pikave të shumta do të rrisë çmimin e gazit

Me gjithë se do të sjellë më shumë siguri për qytetarët nëse do të realizohet deri në fund, operacioni për mbylljen e pikave të paligjshme të tregtimit të gazit do të ketë edhe anën tjetër të medaljes. Sipas tregtarëve që dje nisën të mbyllin aktivitetet e tyre të këtij “shërbimi” me rrezik, “mbyllja e dhjetra pikave nëpër qytet e vendit bëhet prej kërkesës së bërë nga kompanitë e mëdha dhe kjo do të sjellë gradualisht shtrenjtimin e çmimit të gazit për litër për qytetarët”. Bombolat e gazit deri tani shiteshin bashkë me bukën, qumështin dhe artikuj të tjerë ushqimorë, apo dhe pranë materialeve të ndërtimi, në njësitë tregtare me pakicë në zona të ndryshme të Tiranës. Ato paraqesin rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre. Të ndodhura në katet e para të banesave, pa masa mbrojtëse, jashtë çdo norme teknike, njësitë tregtare që shesin bombola gazi të lëngët, përbëjnë çdo ditë e më shumë rrezik për jetën e banorëve. Në njësitë ku ato tregtohen, në pjesën më të madhe bombolave të gazit u mungojnë etiketat përkatëse, ku duhet të përfshihet emri i firmës tregtuese, data e mbushjes, si dhe pesha reale e tyre. Shumica e njësive tregtare shesin gaz jashtë çdo kushti teknik, në kundërshtim me "Rregulloren për Pajisjet Nën-presion të trajtimit të gazit të lëngëzuar", në bazë të së cilës organet përkatëse të Bashkisë, duhet të pajisin me leje tregtimi të veçantë subjektet për shitjen e bombolave të gazit, pasi të kenë plotësuar të gjitha kushtet teknike.

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›