E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtet-mjek-qytetar, një raport, deri tani hipokrit

Opinioni në faqet tuaja “Mjekë të përgjakur”, ka hapur shumë debate në internet. Çështja nuk është të japësh një koment pro ose kundra këtij shkrimi. Pyetja nëse je kundra apo pro dhunës, është një pyetje retorike, që nuk kërkon përgjigje.

Gjithashtu, për mendimin tim, nëse jepet ndonjë koment këtu, apo bëhet ndonjë analizë e gjendjes se shëndetësisë në Shqipëri, apo edhe qoftë dhënia e recetave për shpëtimin e sistemit të kalbur shëndetësor, kjo është e kotë, sepse asnjë nga ne nuk ka në dorë çelësat që duhen për të hapur dhe për të ndërhyrë në reformimin e sistemit shëndetësor shqiptar.

E vërteta është se problemi i sistemit shëndetësor shqiptar është shumë kompleks dhe vetëm një reformë radikale mund ta shpëtojë atë. Mirëpo, historia na ka mësuar që reformat radikale, sado të mira dhe qoftë edhe alternativa e vetme të jenë, nëse nuk perceptohen, pranohen dhe ndiqen nga shoqëria, atëherë janë të destinuara të dështojnë.

Në mentalitetin e shoqërisë shqiptare është i ngulitur që nga koha e socializmit që, shëndeti publik është falas, dhe,megjithëse ka ndryshuar sistemi i shoqërisë, përsëri kërkohet në mënyrë absurde që shërbimi shëndetësor të jetë falas, pa paguar asnjë kacidhe. Dhe pastaj kërkohet shërbimi i mjekut në bazë të humanizmit të tij. Gjë që është komplet naive. Dikush duhet të paguajë. Dhe, nëse dikur ishte gjoja shteti, sot shteti është komplet i tërhequr nga kjo veprimtari. Dhe, në një sistem ku sigurimet shëndetësore gjoja funksionojnë ose nuk funksionojnë fare, atëherë i bie që vetë qytetarët t’i përballojnë këto shpenzime.

Faji i shtetit shqiptar, në tërë këto vite, qëndron në atë që, sistemin e shëndetësisë e ka lënë të vetërregullohet në mënyrën e vet kaotike dhe është aq burracak, saqë nuk ka guximin t’u thotë qytetarëve të vet: "Të dashur qytetarë, me shëndetësinë unë nuk kam lidhje direkte, por indirekte, me anë të mekanizmave të kontrollit të zbatimit të tarifave shëndetësore. Kostot e shpenzimit mbulohen nga ana e arkës shëndetësore dhe nëse ti qytetar i dashur nuk derdh kontribute në arkën shëndetësore, nuk ke çfarë dreqin kërkon nga spitali. Nëse ti je i mendimit që i del zot vetes, atëherë kur të të vijë veza, drejtohu klinikave private".

Nga njëra anë, gjendja ka degjeneruar deri aty, saqë spitalet publike janë kthyer në qendra të mëdha klinikash private, ku për çdo gjë duhet të paguash, dhe kjo është e patolerueshme. Sepse nuk është e logjikshme që një spital të mbahet nga buxheti i shtetit, në mënyrë që mjekët dhe infermierët të ushtrojnë aktivitetin e tyre privat në të.

Gjëja e parë që duhet të bëhet në sistemin shëndetësor është që t’u vihen gjërave emrat e tyre dhe të krijohen raporte të pastra dhe të qarta mes shtetit-mjekut-qytetarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›