E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet Sokol Sinomati, i shumëkërkuari i bandës së Gaxhait

I tmerrshmi njihej me nofkën “Buzderri” dhe akuzohet për disa vrasje. Për Sinomatin dhe katër të tjerët e bandës, Prokuroria ka kërkuar burg për jetë

Tiranë – Njëri prej anëtarëve të asaj që njihet si banda e Gaxhait është arrestuar. Dje pasdite, ai u ekstradua në kryeqytetin shqiptar nëpërmjet Rinasit. Sokol Sinomati, i njohur me nofkën “Buzderri” dhe i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Krijim i bandës së armatosur” dhe “Kryerje e krimeve nga bandat e armatosura”, është arrestuar për arsye ekstradimi, - konfirmoi për gazetën “Albania” një burim zyrtar nga Policia e Shtetit.
Deportimi
I arrestuari ka mbërritur në Shqipëri në pranga, pasditen e djeshme, i shoqëruar nga autoritetet policore të Interpolit.
Sokol Sinomati akuzohet për pjesëmarrje në bandën kriminale, e cila ka kryer vrasjen me paramendim të shtetasve Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni e Robert Myftari.
Po ashtu, Sinomati, bashkë me Gaxhain dhe tre të pandehur të tjerë, përballen në gjykatë me akuzat e tjera të vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të punonjësit të policisë Viron Rrapaj, vjedhjes me dhunë në dëm të shtetasve Artur Pashaj, Vladimir Mema dhe Flamur Xhelaj, si dhe të armëmbajtjes pa leje.
Pak ditë më parë, në gjykatë, Sinomatit dhe katër të tjerëve të bandës iu dha nga pretenca burgim i përjetshëm, kërkesë që, pasi u dorëzua nga Prokuroria, pritet të shqyrtohet dhe të dilet me një vendim në seancën e ardhshme gjyqësore.
Banda
Në qytetin e Vlorës në vitin 1997 filluan të ushtrojnë aktivitetin e tyre kriminal tre grupe: grupi i Xhelitajve në lagjen “Çentrale”, grupi i Zanit në lagjen “Çole”, si dhe grupi i Gaxhait. Gjatë muajit mars, këto grupe jo vetëm që ishin spontane në organizim, por nuk kishin ende ndonjë konflikt me njëri-tjetrin. Ata u përqendruan kryesisht në ruajtjen, që, sipas tyre, do t’i bënin qytetit nga forcat qeveritare të asaj kohe. Gjatë veprimtarisë së mëtejshme të këtyre grupeve, filluan të viheshin re aktivitetet e para të tyre kriminale për t’u konsoliduar më pas si banda të armatosura të mirorganizuara dhe me plane të qarta veprimi. Dhe sipas të gjitha dëshmive të marra gjatë këtij gjykimi, momenti i krijimit të këtyre grupeve të armatosura përcaktohet më së miri nga fundi i muajit mars 1997. Dëshmitarët kanë shpjeguar se si grupi i drejtuar nga Gazmir Brakaj njihej në Cerkovinë si banda e Gaxhait dhe se jetonin së bashku në mënyrë të organizuar në fshatin Cerkovinë. I pandehuri Gazmir Brakaj, së bashku me një grup shokësh nga qyteti i Vlorës, por dhe nga qytete të tjera, ndër ta dhe mjaft persona tashmë të vrarë, krijuan bandën që më pas do të njihej si banda e Gaxhait (pseudonimi i të pandehurit Gazmir Brakaj). Në funksion të organizimit të kësaj bande të armatosur, sipas prokurorit, shërbejnë dhe faktet që duke pasur si qendër fshatin Cerkovinë anëtarët e bandës nuk kryenin asnjëherë veprimtari kriminale në atë fshat. Nga deklarimet e banorëve të fshatit,rezulton se Gaxhai, së bashku me të pandehurit e tjerë, për të krijuar idenë e një grupi të organizuar që mbronte zonën, herë pas here ndihmonte me para njerëzit e fshatit. Gjithashtu, sipas prokurorit, provohet se mjaft shtetas që kishin konflikte me persona të ndryshëm në Vlorë shkonin te Gaxhai në Cerkovinë për t’ua zgjidhur problemet e tyre.

Box
Anëtarët e bandës

1- Gazmir Brakaj (Gaxhai)
2- Armando Sulejmani (Çipuri)
3- Sokol Sinomati (Buzderri)
4- Edmond Leskaj (Mond fshatari)
5- Gazmend Nebiu

Ishin në kërkim për mashtrim dhe thyerje të rregullave të Kodit Rrugor, arrestohen

Tiranë - Policia e kryeqytetit, në vazhdën e operacioneve për kapjen e autorëve të vjedhjeve të ndryshme, ka arrestuar në flagrancë shtetasit Thanas Moçka dhe Shpëtim Oçelli, përkatësisht 62 dhe 64 vjeç. Sipas policisë, Moçka ishte person i shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër për veprën penale të mashtrimit. Ndërkohë, Oçelli ishte shpallur në kërkim nga policia e Tiranës për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, të parashikuar nga Neni 290/1 i Kodit të Procedurës Penale, sepse ndaj tij Gjykata e kryeqytetit, me vendim të datës 04 mars 2009, e ka dënuar me 8 muaj burg, duke e akuzuar për veprën penale të lartpërmendur. Për të dy autorët u mor masa e arrestit me burg.

Reshje shiu, por temperaturat vetëm në rritje

TIRANË – Shi, vranësia, por temperaturat nuk do të bien, përkundrazi do të jenë në rritje. Meteorologët bëjnë të ditur se sot në vendin tonë do të jetë mot me vranësira të ndërrueshme dhe reshje shiu, kryesisht në perëndim të vendit, ku gjithashtu temperaturat do të vijojnë të rriten. Nga të njëjtat burime mësohet se vendi do të ndikohet nga ndeshje masash ajrore me veti fizike të ndryshme dhe, si pasojë, masat ajrore që do të qarkullojnë do të jenë të lagështa dhe të ngrohta. Era do të fryjë në drejtimin juglindje-jug me shpejtësi deri në 2-10 m/sek. Valëzimi në bregdet parashikohet deri në 5 ballë. Temperatura maksimale sot do të shënohet në Kuçovë, 24 gradë, kurse më e ulëta në Korçë e Peshkopi me 8 gradë. Edhe nesër vendi do të ndikohet nga periferia e presionit atmosferik të ulët, me masa ajrore të paqëndrueshme, të lagështa dhe të ngrohta.

Berat, gjendet i mbytur në Osum 40-vjeçari

BERAT - Një 40-vjeçar është gjetur i mbytur në ujërat e lumit Osum mbrëmjen e së enjtes. Familjarët e Luan Hajdarit njoftuan policinë se njeriu i tyre nuk ishte kthyer në shtëpi, pasi kishte dalë për peshkim. Forcat e policisë dhe një grup polumbarësh bënë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të 40-vjeçarit në zonën e Urës Vajgurore, pak kilometra poshtë rrjedhës, ku gjuante për peshkim. Trupi i pajetë i 40-vjeçarit Luan Hajdari është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko- ligjore.

Aksident në Librazhd, humbin jetën dy të rinj

Librazhd - Një aksident, me pasojë vdekjen e dy të rinjve, ka ndodhur në orët e vona të së enjtes në aksin rrugor Librazhd – Përrenjas. Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se, “dy të rinjtë, Artan Hidri 25 vjeç dhe Ermir Bregu 20 vjeç, të dy me banim në qytetin e Përrenjasit, kanë qenë duke udhëtuar me një motoçikletë dhe si pasojë e humbjes së kontrollit kanë rënë nga një lartësi prej dhjetë metrash, poshtë trasesë hekurudhore, tek vendi i quajtur lokali i Sollakut. Mësohet se ata janë parë rastësisht dje në mëngjes nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë lajmëruar policinë. Grupi hetimor, i ndodhur në vendin e ngjarjes, po heton për të zbardhur shkaqet e aksidentit me pasojë vdekjen e dy të rinjve. Paraprakisht mendohet se shkak mund të ketë qenë humbja e kontrollit dhe dalja nga rruga.

4 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›