Dobjani: “Mjekët në Psikiatri, të kërcënuar nga pacientët”
Tiranë - Avokati i Popullit, nëpërmjet një shkrese zyrtare, i ka kërkuar në mënyrë urgjente ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, që të marrë masat për sigurinë e jetës së pacientëve dhe të stafit mjekësor në Shërbimin Spitalor Psikiatrik. Burime pranë Zyrës së Avokatit shpjeguan dje se rekomandimi ka ardhur pas disa vizitave nëpër spitale psikiatrike të vendit. Komisionarët që kanë inspektuar këto spitale kanë konstatuar se mjekët e kishin jetën në rrezik për shkak se nuk kishte asnjë kusht për mbrojtjen e tyre. “Nga të dhënat që disponon Avokati i Popullit nga inspektimet e vazhdueshme që ka kryer në spitalet psikiatrike në vend, rezulton se repartet e tyre, veçanërisht ato të Elbasanit, mbajnë një numër nga 40 deri 60 pacientë (akutë dhe subakutë) dhe survejohen nga vetëm 1 kujdestar dhe një infermier gjatë turnit të pasdrekës dhe natës. Ky raport është i pamjaftueshëm edhe në spitalet apo pavijonet e tjera të shërbimit psikiatrik dhe nuk jep garanci për ndërhyrje në kohë dhe me efikasitet për ngjarje eventuale që mund të kërcënojnë jetën e të sëmurëve nga të sëmurët e tjerë apo dhe të vetë stafit mjekësor”, - thuhet në raport. Sipas Dobjanit, ky raport është në kundërshtim edhe me rregulloren që kanë këto spitale, e cila përcakton se infermierja duhet të jetë e shoqëruar nga jo më pak se katër punonjës të tjerë të stafit gjatë kufizimit farmakologjik të pacientit.
4 Prill 2009