Rruga e Arbrit, një shans për fuqizimin e Durrësit
Ndërtimi i Rrugës së Arbrit do të forcojë fuqishëm pozicionin e Portit të Durrësit në rajon, duke dhënë mundësinë e një konkurrence të denjë, në kushtet e ekonomisë së tregut për biznesmenët e vendeve ballkanike, që nuk kanë dalje në det, por aktualisht përqendrimi kryesisht në rrugën Durrës-Kukës ka lënë në sfond këtë investim tjetër të rëndësishëm në infrastrukturën rrugore me rëndësi kombëtare. Rruga e Arbrit do t‘i jepte një mundësi të re dhe konkrete Portit të Durrësit, për t‘u shndërruar në një port rajonal dhe më pas kokë e një korridori panevropian. Pavarësisht deklarimeve të deritanishme, Durrësi mbetet një port kombëtar, thjesht porti më i madh në vend. Ndërkaq, Rruga e Arbrit e shkurton me rreth 100 km distancën mes Portit të Durrësit dhe Shkupit thuajse duke u barazuar me distancën Selanik-Shkup, çka do ta fuste Durrësin dhe krejt vendin në lojën e interesave dhe ofertave, duke e shndërruar në pikë të rëndësishme transiti mallrash e kontejnerësh për në brendësi të gadishullit, si dhe do t‘i jepte një hop të ri zhvillimit ekonomiko-financiar. Punimet për këtë rrugë duket se kanë ngecur dhe e gjithë vëmendja është përqendruar në një rrugë po kaq të rëndësishme, atë që do të afrojë Kosovën me bregdetin shqiptar dhe krejt Shqipërinë dhe anasjelltas. Ideja e një grupi intelektualësh dibranë për riaktivizimin e Rrugës së Arbrit që ka një histori të lashtë, u mbështet në tetorin e 12 viteve të shkuara nga Këshilli i Ministrave, që ngriti grupin e punës për projektin e rrugës. Trazirat e viteve ‘97-‘98 e bllokuan vazhdimin e punës deri në vitin 2003, kur qeveria akordoi një fond për studimin e fizibilitetit. Në bazë të studimit që vlerësoi si aks më të mirë atë të Rrugës së vjetër të Arbrit, distanca aktuale mes Tiranës dhe rrethit të Bulqizës përgjysmohet dhe po ashtu distancat mes kryeqytetit shqiptar me Dibrën e Maqedonisë dhe Gostivarin. Shpejtimi në ndërtimin e kësaj rruge është në interesin e zhvillimit kombëtar, ndërsa ka tërhequr prej kohësh edhe vëmendjen e biznesit maqedonas dhe qeverisë së këtij shteti fqinj, por aktualisht nuk po flitet më për rrugën, ecuritë e punimeve të së cilës kanë rënë. Biznesi maqedonas është i interesuar për atë që portet ofrojnë dhe territoret e vendeve të tyre, nëpër të cilat mallrat pritet të kalojnë. Mundësia për të zgjedhur Portin Detar të Durrësit, pas ndërtimit të rrugës, është shumë e madhe, për shkak të distancës më të vogël me kufirin maqedonas dhe pozicionit gjeografik që mundëson lidhjen e Adriatikut, Jonit e Mesdheut.