E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ankesa e qytetarit, shteti debitor prej 14 vitesh



Historia e Muhametit nga Korça, është e ngjashme me të gjithë ata qytetarë që iu është shpronësuar toka por nuk kanë marrë dëmshpërblimin nga shteti. Historia e korçaret u bë publike që ditën që ai vendosi të trokasë për derman në zyrën e Avokatit të Popullit. Sapo u njohën me ankesën e tij menjëherë një nga komisionerët u mor me verifikimin e dokumenteve. Nga verifikimi rezultoi se Muhamet Kajmakut shteti i detyrohej prej 14 vitesh një shumë të konsiderueshme. Falë vendimit të gjykatës ishte vendosur detyrimi i Këshillit të Qarkut Korçë, të paguajë në favor të ankuesit shumën prej 257.156 lekë si pasojë e shpronësimit të pronës së tij në fshatin Libonik, Korçë. Mirëpo ndërsa vitet kishin kaluar, dhe këshilli bashkiak ishte ndërruar disa herë vetëm për të drejtën e Muhametit nuk ishte kujtuar njeri. Sipas Përmbarimit të Korçës palë debitore për këtë çështje është Këshilli i Qarkut të Korçës.
Rekomandimi
Avokati i Popullit, pasi është njohur me shqetësimin e qytetarit nga Korça Muhamet Kajmaku menjëherë i ka nisur një rekomandim zyrtar jo vetëm ministrit të Financave, Ridvan Bodes por edhe kryetarit të Këshillit Bashkiak Korçë. Dobjani iu rikujton zyrtarëve që ky është një nga ato raste që shkelet në mënyrë flagrante e drejta e njeriut dhe nga shembujt negativë që duhet t’i japë shteti qytetarit të tij. “Cenon rëndë autoritetin e shtetit, në një kohë që Qeveria në programin e saj e konsideron si problem të mprehtë dhe angazhohet për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore”, thuhet në rekomandimin e Dobjanit. Më tej në rekomandim shpjegohet se nëpërmjet një shkrese në maj të këtij vitit Dobjani i ka kërkuar Këshillit të Qarkut Korçë, marrjen e masave për ekzekutimin e këtij vendimi gjyqësor. Ndërkohë që përgjigjja nga ana e Këshillit të Qarkut Korçë ka qenë se vendimi gjyqësor që ka lidhje me qytetarin Muhamet Kajmaku është i lidhur me detyrimin për kthimin e shumës prej 257.156 lekë për kompensimin e pronave. Si i tillë, ekzekutimi i këtij vendimi gjyqësor është detyrim i drejtpërdrejt i Ministrisë së Financave.
Alternativa
Në rekomandimin zyrtar, Dobjani ka dhënë si zgjidhje çeljen e menjëhershme të një fondi të veçantë posaçërisht për qytetarin në fjalë. Kështu të paktën edhe pse me vonesë por ky vendim gjykatë do të gjejë zbatim. Rekomandimi tashmë ka mbërritur në institucionet e duhura dhe pritet që ata të kthejnë një përgjigje zyrtare për ankesën e Kajmakut.

5 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›