E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në zyrat e lëvizjes ‘Mjaft’, shkak një shkëndijë elektrike



Një zjarr ka rënë rreth orës 16:20 të pasdites së djeshme në zyrat e Lëvizjes Mjaft. Një përfaqësues i kësaj lëvizjeje është shprehur se në momentin e rënies së zjarrit, në zyra kane qenë disa punonjës, të cilët po punonin, ata kanë dalë jashtë menjëherë sa kanë parë flakët. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur zjarrfikësit, të cilët kanë bërë të mundur dhe shuarjen e tij, gjithashtu KESH-it i është kërkuar ndërprerja e energjisë elektrike për shmangien e ndonjë pasojë më të rëndë deri në gjetjen e shkakut të rënies së zjarrit. Nga zjarri i rënë nuk ka persona të lënduar dhe ende s’dihet bilanci i dëmeve. Pas hetimeve paraprake rezultoi se zyrat e Lëvizjes “Mjaft“, u përfshinë nga flakët këtë pasdite si pasojë e shpërthimit të një shkëndije elektrike në transformatorin jashtë ndërtesës. Aktivistët e “Mjaft” në zyra thanë se dëgjuan një seri shpërthimesh, e cila u pasua më vonë me flakët e zjarrit që u vunë menjëherë nën kontroll si pasojë e ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse në vendngjarje. Ngjarja kaloi me panik mes banorëve të cilët kanë banesat pranë godinës së Lëvizjes. Flakët që kanë dëmtuar zyrat në katin e parë të godinës te rruga e Elbasanit, u shuan pas 20 minutash.

5 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›